Prishtinë, qershor 2007 –

Luftërat e vazhdueshme, veçanërisht në vitin 1999, e kanë dëmtuar rëndë trashëgiminë kulturore të vendit. Fondacioni “Behgjet Pacolli” merr pjesë në aktivitete të rëndësishme në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Në këtë kontekst, Fondacioni tashmë ka kontribuar jashtëzakonisht shumë. Rinovimi i xhamisë së Llapit, e ndërtuar në vitin 1470, ishte një nga veprimet e para të Fondacionit në këtë lidhje.


Kjo xhami e vjetër gati ishte e shkatërruar gjatë luftës në Kosovë më 1999. Fondacioni ka kontribuar në rinovimin e xhamisë së Llapit në Prishtinë me mjete financiare dhe logjistike.
Si erdhi deri te restaurimi
Ka patur disa iniciativa për restaurimin e kësaj xhamie, por të gjitha kishin dështuar deri sa te realizimi i një restaurimi të mirëfilltë u ndërmor pas një bashkëpunimi në mes të pronarit të kompanisë “Mabetex”, njëherit themeluesit të Fondacionit “Behgjet Pacolli”, IKMM-së (Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës .

Ky projekt filloi në vitin 2007 dhe pas rreth dy vjetësh Xhamia e Llapit me objektet përcjellëse përjetoi një ndryshim mjaft të madh dhe pamje të bukur, fal restaurimit mjaft përmbajtsor (duke eliminuar objektet të imponuara përreth) dhe duke e nxjerr në pah objektin e xhamisë.
Ky intervenim besojmë se në aspektin kohorë do t’ia zgjasë jetën kësaj xhamie.


Xhamia nga ajo periudhë (2009) është lëshuar në përdorim dhe tani ka frekuentimin e zakonshëm si dhe plotësimin e disa kritereve që i nevojiten objetkeve të tilla të rëndësishme.
Historiku i Xhamisë “Ramadanije”
Depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan reflektohet ndër të tjera edhe me fillimin e ndërtimin e objekteve fetare, konkretisht xhamive. Njëra ndër to në qytetin e Prishtinës është edhe xhamia e Llapit apo Ramadanie siç njihet ndryshe.
Nuk ka një datë të saktë të ndërtimit të saj, por gjasat më reale janë ato të pjesës së dytë të shekullit XV-të ku përmendet viti i ndërtimit 1470 dhe mesi i shekullit të XVI-të kur përmendet viti 1551.
Xhamia e Llapit ka marrë këtë emër ngase ndodhet në rrugën që të shpie në drejtim të rajonit të Llapit ose paraqet njërën ndër objektet e para që haseshin atë kohë në hyrje të qytetit të Prishtinës nga ajo anë.
Në kë link mund të shikoni një reportazh rreth Xhamisë “Ramadanie”.
Në fillim të ndërtimit objekti besohet të ketë qenë Mesxhid, por me kohë është avancuar dhe u shndërrua në xhami dhe fitoi planimetrinë që ka sot dhe e cila përmban: sallën e lutjeve, minaren dhe hajatin.

Në enterier prezentohet mihrabi, minberi dhe mafili si dhe dekoracioni piktural i cili ka qenë mjaft i dëmtuar.
Gjatë periudhave të ndryshme kohore kjo xhami ka përjetuar edhe ndërtime përreth saj, pastaj edhe intervenime në vetë xhaminë e të cilat kanë bërë që xhamia të përjetojë një degradim dhe humbje të origjinalitetit.
Kulminacioni i dëmtimit të kësaj xhamie ishte ai i periudhës së luftës së viteve 1998-99 kur ky objekt u dogj nga forcat serbe (në muajin prill 1999) duke i shkaktuar dëme mjaft të mëdha.
