Pejë, 14 nëntor 2007 – Falë projektit që financohet nga fondacioni “Behgjet Pacolli”, katër fshatra të komunës së Pejës, Poçesta, Vragoci, Pishtani dhe Kerstovci brenda 15 ditësh do të bëhen me rrjet të ujësjellësit dhe do të pinë ujë të kthjellët nga burimi i Drinit të Bardhë.
I tërë projekti i ujësjellësit, për këto katër fshatra, në vlerë prej 30 mijë eurove, është financuar nga fondacioni “Behgjet Pacolli”.
Punët në realizimin e projektit kanë filluar të mërkurën, me hapjen e kanalit të ujësjellësit, i gjatë 5.400 metra, i cili nga fshati Poçestë, do të bartë tutje ujin për tre fshatrat e tjerë.
Canë Kuçi, nga Poçesta, tha se kjo është dita më e lumtur në jetën e tij.
“Kemi pirë ujë bunari, për të cilin të gjitha analizat kanë vërtetuar se është i dëmshëm. Na janë helmuar familjet dhe fëmijët me këtë ujë. Këmi marrë uë pastaj më bucela në qytet dhe kemi hequr të zitë e ullirit. Na kishin premtuar pushtetarët shumë herë, por kot. Shkuam të Behgjet Pacolli me një kërkesë dhe ai na është përgjigjur pozitivisht. E falënderojmë shumë për ndihmën e madhe që po u bën banorëve të këtyre fshatrave”.
