U mobilizova dhe dërgova ndihma në kampet e Kukësit ku qëndronin bashkëvendasit e mi, i kam vuajtur shumë ato skena

Lavdi Kukësit dhe gjithë Shqipërisë për mikpritjen vëllazërore! Duhet ta kujtojmë historinë që ajo të mos përsëritet dhe viktima të barazohet me dhunuesin!

Nga Behgjet Pacolli| Lugano, Mars, 1999 –

15 vjetori i eksodit të bashkatdhetarëve tanë që ikën nga vatrat e tyre stërgjyshore nga tmerret e luftës dhe të ndjekur nga njësitë ushtarake serbe, do të përkujtohet çdo vit në Kukës. Është shumë mirë të mos harrojmë këtë krim të madh të konsumuar në mes të Europës në fundin e shekullit të 20- si genocid dhe spastrim etnik të shqiptarëve!

Ky përkujtim ngjan i qëlluar sot, kur për shkak të njëlloj apatie që ne kemi treguar për të dokumentuar krimet e serbëve, po ndërron statusi i viktimës me atë të kriminelit! Dik Marti dhe Karla del Ponte, kanë arritur njëfarë suksesi me ngritjen e Tribunalit të Posaçëm, vendim që do diskutohet javën që vjen.

I kam vuajtur shumë skemat e atyre krimeve megjithëse kam qenë jashtë Kosovës. Shumë familjarë të mi janë vrarë, shtëpi të tyre janë granatuar apo djegur. U mobilizova për të çuar ndihma së bashku me aktiviste të mëdha humanitare europiane në kampet e Kukësit ku qëndronin bashkëvendasit e mi, gra, pleq, fëmijë. Kam punuar për të sensibilizuar diplomacinë ndërkombëtare, kam marrë pjesë në shumë emisione të rëndësishme të mediave europiane për ta treguar tragjedinë e popullit tim.

Kukësi u bë monument i bujarisë njerëzore universale dhe mbarë bota kishte sytë tek Kukësi.

Kukësi dhe Shqipëria penguan realizimin e planit të Milosheviqit, që duke nxjerrë afro gjysmën e popullsisë jashtë, mendonte se ata nuk do ktheheshin më. Bashkëvendasit tanë që ishin afër vatrave të tyre, u kthyen menjëherë pas mbarimit të luftës dhe kjo ishte një fitore e madhe strategjike e kombit shqiptar.

Mirënjohje të përjetshme për këtë vepër të madhe!