Senati Akademik i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, i jep z Pacolli, Titullin akademik të nderit “Dr. Honoris Causa”

TIRANË, 28 nëntor 2018

Senati Akademik i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, i jep Z. BEHGJET PACOLLI, Zëvendëskryeministër dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Titullin akademik të nderit “Dr. Honoris Causa”

Më 28 nëntor 2018, ora 12.00, në sallën “Rilindja”, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit akademik te nderit “Dr. Honoris Causa”, Z. BEHGJET PACOLLI, Zëvendëskryeministër dhe ministri i jashtëm i Kosovës, akorduar nga Senati Akademik i Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë. Në ceremoni ishin të pranishëm studentë, pedagogë, qytetarë të Vlorës, gazetarë dhe përfaqësues të mediave. E nderuan aktivitetin me prezencën e tyre, Z. Dritan Leli, Kryetar i Bashkisë, Vlorë, Shkelqesia e tij, Ambasador i Kosovës në Shqipëri, Z. Sylë Ukshini, deputetë, autoritete qendrore e lokale, miq e dashamirës të UV-së dhe të Z. Behgjet Pacolli.

Ceremonia u çel me Himnin e Flamurit dhe interpretimin e poezisë “Në vendin tim” të poetit Petrit Ruka, përmes një inserti poetiko-muzikor, në qendër të së cilës ishte Vlora si motiv kryesor. Më pas e mori fjalën Rektori  Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Roland Zisi, i cili i pershendeti dhe i falenderoi të pranishmit në emër të Senatit Akademik, studentëve dhe pedagogëve, për vlerësimin që kishin treguar me prezencën e tyre në aktivitet.

Sipas kerkesave te ligjit dhe kanoneve universitare ne vijim u lexuan dy relacione (oponenca) të shkurtëra mbi veprimtarine, kontributet, arritjet dhe sukseset e Z. Behgjet Pacolli, të cilat e motivuan Senatin Akademik në akordimin e titullit të nderit “Dr. Honoris Causa”, titullin më të lartë që akordon institucioni për personalitetet e shquara, vendase apo të huaja. Relacioni i parë u lexua nga Prof. Dr. Albert Qarri, dekan i fakultetit te Ekonomisë dhe i dyti nga Prof. asoc, Xhiliola Agaraj, pergjegjese e departamentit të Biznesit, ne fakultetin e Ekonomisë.

Më pas, Rektori Zisi e ftoi z. Behgjet Pacolli të ngjitet në tribunë, të veshi uniformën përfaqësuese të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë dhe të marrë Diplomën e nderit, akorduar nga SA me motivacioni:“Për kontributin e shquar, unik dhe doktrinar, në nxitjen e mendimit shkencor kombëtar dhe afirmimin e modelit mbarëshqiptar të biznesit dhe marketingut, në sintoni dhe relacione suksesi me ekonominë globale, të cilat kanë sjellë rezultate reale e të prekshme në rritjen e mirëqenies individuale dhe harmonisë shoqërore, në funksion të patriotizmit modern, jo atij folklorik, si kushte themelore të bashkëjetesës europiane e globale”.

Në fund e mori fjalën Z. Behgjet Pacolli i cili përshëndeti përzemërsisht të pranishmit, falenderoi anëtarët e senatit akademik për vlerësimin dhe nderimin që i bënë atij duke i akorduar titullin e nderit “Dr. Honoris Causa”. Ai vlerësoi Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, për sukseset dhe arritjet e tij në fushë të misionit fisnik të edukimit qytetar, profesional dhe akademik të brezave të studentëve ndër vite dhe më pas u përqëndrua në rolin historik, ekonomik, kulturor të Vlorës dhe vendin e veçantë që ajo ka në zhvillimin e vendit dhe rajonit, duke nenvizuar se, “në këtë ceremoni duhet të reflektojmë të gjithë për rëndësinë e Vlorës në një strategji të përbashkët zhvillimi kombëtar që pse jo mund të nisë prej saj, si njeri nga portet më të rëndësishme në rajon, por dhe më gjerë”.

Ai i njohu të pranishmit me raportet e lidhjet e tij të hershme e të reja me Vlorën, me fokusin aktual të veprimtarisë së tij si politikan e diplomat, si Zëvendëskryeministër dhe ministri i jashtëm i Kosovës si dhe me sfidat që has politika dhe shoqëria kosovare e shqiptare në rugën e vështirë të integrimit europian.

Ceremoninë e përshëndeti edhe Z. Dritan Leli, Kryetar i Bashkisë, Vlorë.https://univlora.edu.al/2018/11/30/senati-akademik-i-universitetit-ismail-qemali-vlore-i-jep-z-behgjet-pacolli-zevendeskryeminister-dhe-ministri-i-jashtem-i-kosoves-titullin-akademik-te-nderit-dr-honoris-causa/