Presidenti Nishani dekoron Pacollin me urdhërin “Nderi i Kombit”

“Kam marrë shumë nderime në botë, por ky është nderim më i veçanti, më emocionuesi. Ky nderim lartësohet dhe më shumë pasi vjen prej shtetit amë”

TIRANE, 27 shkurt, 2015 –

Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekoroi ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Behgjet Pacollin me urdhërin “Nderi i Kombit”.

Presidenca informon se kjo dekoratë Pacollit iu dhurua me motivacionin “Për krijimin e imazhit pozitiv të shqiptarit në botë si një sipërmarrës i suksesshëm në shumë vende të globit si dhe aktivitetit humanitar në shërbim të paqes. Për kontributin e tij të qenësishëm në lobimin për njohjen dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës si dhe promovimin e realiteteve ekonomike kombëtare nëpërmjet formave përbashkuese.”

Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të politikës shqiptare si kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, kryetar i opozitës Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha etj. Si dhe familjarë të Pacollit. Në ceremoninë e rastit ra në sy mungesa e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në fjalën e tij, Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, falënderoi vlerësimin e bërë nga kreu i shtetit shqiptar.

“Kam marrë shumë nderime në botë, por ky është nderim më i veçanti, më emocionuesi. Ky nderim lartësohet dhe më shumë pasi vjen prej shtetit amë”,-ishin fjalët hyrëse të deklaratës së tij të mbajtur në ambientet e presidencës. Ndërsa shtoi se “Kudo që unë jam nderuar në botë për veprat e mia, unë kam LARTESUAR emrin e shqiptarit. Më vjen mirë që Presidenti e ka vlerësuar këtë. Sa më shumë jam mirënjohur nëpër botë për veprat e mija më shumë kam dashur që vendi im, kombi im të dekorohet akoma më bukur”.

Duke folur për projektin e tij politik, Pacolli tha se krijoi platformën “për një Kosovë të zhvilluar, një Kosovë dinjitoze, nje Kosovë për të cilën do punonim në menyre të sinqertë,për një Kosovë shumë të dashur për njerëzit, për një Kosovë të jetueshme”.

Pacolli foli shkurtimisht edhe për largimin e kosovarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian për një jetesë më të mirë. “Dua që ashtu si unë, bashkëkombasit e mi të mos ikin, por të duan e të jetojnë të lumtur në Kosovë, të punojnë në tokën e tyre”,- deklaroi Pacolli.

FJALA E Z. BEHGJET PACOLLI, ISH PRESIDENT I KOSOVES NE CEREMONINE E DEKORIMIT ME URDHERIN E LARTE TE SHQIPERISE NDERI I KOMBIT

TIRANË 27 SHKURT 2015

I dashur president i vendit,

SHKËLQESIA E TIJ Bujar Nishani,

Të dashur miq nga institucionet e shtetit të Shqipërisë- parlamenti, qeveria,

Miq nga Kosova dhe familjarë të mij,

Kam marrë shumë nderime në botë, por ky është nderim më i veçanti, më emocionuesi. Ky nderim lartohet dhe më shumë pse vjen prej shtetit amë. Ky nderim më jepet prej kryetarit të shtetit, zotit Bujar Nishani, një burrë i urtë dhe i nderuar që e vlerësoj shumë. Ne si kosovarë, kemi vuajtur shumë, kemi ëndërruar shumë për shtetin amë ndaj e vlersoj këtë nderim.

Unë në jetën time, siç thotë Ruzvelti, kam bërë gjithçka çka kam mundur me çfarë kam patur. kudo që kam qenë. Presidenti e ka vërejtur, në motivacionin e Urdhërit të lartë “nderi i kombit”, që jeta ime, puna ime është rrotulluar rreth idesë së kombit tim.

Po, zoti President,

rreth idesë së kombit tim është zhvilluar gjithë aktiviteti im njerëzor dhe profesional. Kam folur diku për jetën time,si është zhvilluar ajo dhe e kam krahasuar atë: si rrathët e krijuar nga rënia e një guri në sipërfaqen e ujit të qetë! Në seicilin prej rrathëve të jetës sime- në studim, në ndërmarrësi, në politikë, në filantropi, ne familje,në shoqëri,është vrejtur se çdo gje sillet rreth Dëshirës se madhe për lartimin dhe begatimin e Kombit tim.

Ne këtë kontekst, Zoti President, e thëm solemnisht para jush, me përgjegjësi të plotë,se çdo gjë që kam bërë, e kam bërë për interes të Kombit tim! Ishte,është dhe mbetet dëshira e flaktë e imja që shqipëtarët të jenë një Komb i ndritur dhe fëmijtë tanë të mburren me këtë. Kam krijuar shumë miq nëpër botë për Kosovën e për shqipëtarët.

Duke kuptuar Kosovën brenda Shqipërisë,

dhe duke imagjinuar Shqiptarët si një Komb i vetëm, unë bashkë me shumë atdhetarë, kontribuam në ngritjen e imazhit të saj e të Shqiptarëve në përgjithësi. Suksesi i një individi si unë, ka qenë sukses i kombit tim, i imazhit të tij!

Nese këtë veprimtari mundemi me e quajtur sukses, atëherë unë them se është sukses i madh i arritur me shumë sfida, sakrifica,punë e vullnet të madh. Unë jam kozmopolit, sepse unë kam punuar dhe udhëtuar në gjithë botën.

Sa më shumë kam udhëtuar dhe punuar në botë, aq më shumë e kam dashur kombin tim. Por e kam dashur kombin tim sipas mënyrës sime.

Kudo që unë jam nderuar në botë për veprat e mia, unë kam LARTESUAR emrin e shqiptarit. Më vjen mirë që Presidenti e ka vlerësuar këtë. Sa më shumë jam mirënjohur nëpër botë për veprat e mija më shumë kam dashur që vendi im, kombi im të dekorohet akoma më bukur.

Unë u ktheva në Kosovë në 2007 sepse, unë e dua shumë fshatin tim ku kam lindur dhe ku më rëndon koka, i dua njerëzit e mij, e dua Kosovën e Shqipërinë. … e dua Kombin tim

Duke u nisur nga dëshira e madhe, krijova idetë e platformën për një Kosovë të zhvilluar,një Kosovë dinjitoze, nje Kosovë për të cilën do punonim në menyre të sinqertë,për një Kosovë shumë të dashur për njerëzit, për një Kosovë të jetueshme. Dua që ashtu si unë, bashkëkombasit e mi të mos ikin, por të duan e të jetojnë të lumtur në Kosovë, të punojnë në tokën e tyre.

Unë këtu diçka kam bërë, do të bëja akoma më shumë po të më jepet mundësi. Unë e dua bashkë Kosovën me Shqipërinë dhe e di se ky bashkim nis nga ekonomia. Ky është koncepti im për patriotizmin modern!

Dua ta mbyll këtë fjalë të shkurtër, me një thënie të Mitat Frashërit; “Në punë ta kesh për lavdi të jesh shërbestar. Të jesh i lumtur kur bën një send të dobishëm, edhe sikur të mos e dijë bota”.

Unë kam shërbyer shumë njerëzve, fshatit tim, Kosovës sime, kombit tim duke punuar shumë. E kisha për lavdi të shërbeja! Jam i lumtur se kam bërë shumë vepra të dobishme.

Jam dyfish i lumtur, pse punët e dobishme që kam bërë i di jo vetëm bota, por i di dhe kombi im. Kjo dekoratë është dëshmia që punët e mia i di dhe kombi im.

Falemnderit z. President!