Pacolli u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Kukësit”

“Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shuma të mëdha financiare. Në atë Luftë ka marrë pjesë vëllai juaj Selimi, në Zonën e Gollakut, dhe ju keni shumë viktima në mesin e familjarëve tuaj”

KUKËS, 16 prill, 2018 –

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Kukësit”.

Në ceremoninë e organizuar në Kukës në kuadër të 19 vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë, në ceremoni ishte i pranishëm Zv/kryeministri dhe Ministri i i Jashtëm, Behgjet Pacolli, kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, autoritete vendore nga Kosova dhe Shqipëria, deputetë, qytetarë etj, bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së kosovare.

Kryetari i Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu duke i dorëzuar titujt e lartë theksoi se “vepra juaj në shërbim të kombit shqiptar, në të dy anët e kufirit ka shumë lidhje me Kukësin, ka shumë lidhje me 16 prillin, ditën kur dhjetëra mijëra bashkëpatriotë tanë të Kosovës, u vendosën këtu”.

“Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shuma të mëdha financiare. Në atë Luftë ka marrë pjesë vëllai juaj Selimi, në Zonën e Gollakut, dhe ju keni shumë viktima në mesin e familjarëve tuaj”, u shpreh Shehu.

Kryetari i bashkisë së Kukësit, Shehu nënvizoi se “platforma juaj për një Zonë të lirë ekonomike ndërkufitare që bashkon Gjakovën dhe Prizrenin me qarkun tonë, është shpëtimtare për njërën nga Zonat më të bukura të Ballkanit dhe me plot potencial zhvillimor. Minierat tona kanë mbajtur Shqipërinë”.

“Koncepti juaj për zhvillimin e Aeroportit të Kukësit, për kompani ajrore të përbashkët; koncepti juaj për një Qendër Spitalore elitare dhe një shkollë të lartë shërbimesh mjekësore në Kukës, janë shpëtimtare për këtë zonë. Tani që ju jeni në qeverisje, që bashkëpunimi me Shqipërinë është real, ne do donim që ky vizion juaji të bëhet realitet”, tha Shehu duke shtuar se ja pse ne ju japim çelësin e shtëpisë sonë mikpritëse, që ju të mos e harroni Kukësin.

Zv/kryeministri Pacolli duke falënderuar për nderimin e lartë, u shpreh se “Kukësi është Kryeqyteti i Mikpritjes Botërore, Kukësi është Nobeli i humanizmit global; Kukësi e shpëtoi Kosovën në 1999. Nëse kosovarët nuk do kishin qëndruar këtu, do ishin shpërndarë nëpër botë. Dhe jo të gjithë, do ktheheshin nga larg për t’i shërbyer Kosovës së Re. Ndaj për mua është krenari që prej sot jam një kuksian, që prej sot jam njeri si ju”.

Pacolli duke falënderuar qytetarët kuksianë dhe anëtarët e Këshillit bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut për titujt iu kërkoi që të kapërcejnë ndarjet partiake për t’i shërbyer më mirë këtij populli të mrekullueshëm.

“Ju keni të drejtë që përmendni Vizionin si cilësi e domosdoshme për të shikuar lart dhe larg. Edhe kur kufijtë mes nesh ishin të pakapërcyeshëm, unë gjithmonë e kam parë këtë zonë si pjesë e pandarë e Gjakovës, Prizrenit, e Kosovës. Aq më shumë në kohën e lirisë që u parapri nga sakrifica, gjaku, vepra e madhe e humanizmit tuaj që e pa bota mbarë, unë sot e shoh si pol kombëtar zhvillimi qarkun e Kukësit, Hasin, Tropojën, të lidhur me komunat në anën tjetër”, tha Pacolli.

Pacolli premtoi se do të angazhohet për Kukësin, pasi ka miniera të rralla, liqene, hidrocentrale, bukuri natyrore, hapësirë për turizëm malor, për blegtori cilësore, për shkolla, arsim profesional.

“Aeroporti i Kukësit që do të hapet së shpejti ka gjithë mundësitë që jo vetëm të jetë alternativë e Prishtinës dhe Gjakovës, por dhe të jetë një destinacion ndërkombëtar në transportin e distancave të mëdha. Unë me kolegët e mi në Qeverinë e Shqipërisë do punojmë në këtë drejtim”, theksoi Pacolli.

Ai shtoi se “nuk mund të ketë zhvillim kombëtar të plotë, madje nuk mund të ketë zhvillim rajonal pa hekurudhë mes nesh, Lugina e Drinit, Kukësi, Tropoja, Gjakova, janë stacione të pashmangshme të kësaj rruge të re hekurudhore. Po i ndjek me vëmendje studimet dhe projektet në këtë drejtim”.

Ministri i Jashtëm Pacolli është dekoruar më herët edhe nga Presidenti i Shqipërisë me titullin e lartë “Nder i Kombit”.Ai është qytetar Nderi i Korçës, Lezhës dhe ka disa tituj akademikë nga universitete të Shqipërisë. Gjithashtu, Pacolli ka tituj dhe nderime nga qytete dhe shtete të SHBA-së, Italisë, Filipineve, Perusë,etj.