Pacolli sipas një të riu të Shqipërisë

Tiranë, shkurt 26, 2015

ORIOLA MUSA
Ndërsa pamjet e qytetarëve kosovarë që ikin nga vendi janë bërë pamje botërore, si njohëse e psikologjisë së turmave me kostumet e ekonomistes dhe PR-it unë pyes: pse populli i Kosovës nuk votoi fuqimisht ndërmarrësin më të madh shqiptar në botë, Behgjet Pacolli?

Po sqaroj përfytyrimin tim për këtë emër, si dikush në moshë të re, nga vendi amë, që nuk voton në Kosovë. Shqipëria i ka dhënë nderime të ndryshme këtij ndërmarrësi të madh, përfshi honoris causa të UET-it, ku bëj pjesë nga themelimi. Si e re, veç të tjerash, ndjek mediat sociale ku ai është shumë aktiv, madje duke dialoguar me çdo kritik të angazhimit të vet politik. Si unë, miq të tij janë shumë të rinj nga Shqipëria, që i shprehin vazhdimisht adhurimin e tyre bashkëkombësit tonë të shquar. Vlerësimet tona përbashkohen se ai ka ditur të pajtojë punën e madhe me studimin serioz, ndërmarrësinë gjeniale dhe filantropinë prekëse. Natyrisht me urimin sikur ta kishim në Shqipëri një ndërmarrës politikan si ai.

Në një prej fjalimeve të mbajtura në një ceremoni në Tiranë,  Behgjeti, si dhe në disa raste të tjera, iu referua një shprehjeje latine që më bëri përshtypje: nema propheta in patria sua (Askush s’të bën profet {apo udhëheqës} në atdheun tënd). Në këtë shprehje nuk ka thjesht alibi për rezultatin e tij të dobët politik. Ka mbase keqardhje që Kosova, vendlindja e tij, nuk i ka dhënë nderime të ngjashme si në Shqipëri, vendin amë. Ndërkohë, brenda kësaj shprehjeje ndihet pesimizmi se ky është fati që rëndom në histori –që nga koha kur shprehja latine u shpik- popujt e papjekur u rezervojnë individëve të shquar si ai që krijojnë famë në botë për veten dhe kombin e tyre, por humbin në “fshatin ku lindën”.

Pacolli ofroi pikërisht atë që i mungon atyre që ikin: punën!

Shprehja latine megjithatë është memece. Ajo nuk i jep përgjigje pyetjes me të cilën unë nisa shkrimin tim. Bilioneri Behgjet Pacolli, siç thotë vetë shpesh, është politikan atipik si presidenti kilian, apo si ish-kryebashkiaku i New Yorkut. I është afruar politikës pasi ka parë se oferta e tij jo thjesht ideore për zhvillimin e vendit nuk është marrë në konsideratë nga politikanët tipikë. Oferta e tij paradoksalisht është përqeshur nga kuaziekspertët apo media e blerë, që bën si shumë e zgjuar në viset tona. Ky ndërmarrës nga një fshat i Prishtinës, që ka bërë gjithçka vetë, pretendoi prej 2007 deri sot, siç thoshte në një reagim në Facebook-un e tij, të udhëhiqte si prijës apo si lokomotivë karvanin apo trenin politik, por nuk ka mundur. Jam ekonomiste, por fabulën e karvanit e kam marrë prej një dialogu të Pacollit me një të ri në Facebook, që i kërkonte llogari pse nuk bëri asgjë si zëvendëskryeministër. Me modesti, – pa i përmendur kalin me gomarin për të mos i fyer kolegët e vet politikanë -, Pacolli ofronte versionin e tij të marrëdhënieve me elitën ekzistuese kosovare. Sipas fabulës së Dritëro Agollit më duket, në një karvan transporti të mallrave dhe njerëzve, dyqind vjet më parë, i zoti i kafshëve i kishte hipur një kali, të dytin në radhë pas një gomari. I zoti donte të mbërrinte shpejt në destinacion, ndaj i grahte kalit fort: ec, ec! Dikur kali i lodhur nga mamuzet e të zotit, i tha atij: nëse do të ecësh shpejt, atëherë më vendos mua në krye të karvanit dhe jo gomarin!

Mendoj që brenda kësaj fabule shprehet e vërteta e dështimit në vendlindje të personazhit Pacolli, aq shumë të suksesshëm në botë. Sot në Kosovë qeveris koalicioni i dy partive kryesore të elitës politike në krye prej 16 vitesh nga çlirimi. Logjikisht qeveria e tyre do duhet të kishte besim maksimal popullor. Por jo, njerëzit ikin si në një amok nga sytë këmbët! Familje të tëra shkulen nga rrënjët e tyre, duke u besuar rrenave, manipulimit të mafies rajonale për t’u ngulur diku në Perëndim. Ikin pa besuar në premtimet e qeverisë, që në letra kontrollon mbi 70% të votës në zgjedhjet e qershorit 2014. Në këto zgjedhje vota për ofertën e Pacollit, nëse u numërua drejt, nuk kaloi pragun prej 5%. A ishte problemi tek oferta e tij, apo ku?

Sipas meje dhe çdo eksperti që njeh rrjedhat kryesore të zhvillimit ekonomik global dhe rajoneve të veçanta të tij, oferta politike e Pacollit ishte më e mira. I dëshmuar si zhvillues urban, por jo vetëm, ky bashkëbisedues ideor me UET, universitetin ku unë “jetoj” prej themelimit, propozonte zona të lira ekonomike apo financiare në Kosovë. I kundërvihen boll të paditur, në teori dhe në praktikë, megjithëse këto zona krijojnë zhvillim dhe mundësi punësimi masiv. Punësimi për zhvillim i mungon Kosovës dhe fatkeqëve që arratisen me autobusët e mafies. Zonat e lira sigurojnë falë pozicionit tranzit të Kosovës dhe viseve shqiptare shpërngulje masive kapitalesh dhe “know how” prej vendeve më të pasura. Edhe platformat agroushqimore që ai ka propozuar, janë instrumente funksionale të tregut jo vetëm për Kosovën, por edhe për ne, sipas traditës së shkëlqyer të bujqësisë dhe blegtorisë në mbijetesën tonë kombëtare. Ato krijojnë punësim masiv për rajonet e varfra të Kosovës. Programi për kompleksin e Trepçës brenda zgjidhjes graduale për administrimin publik të minierave dhe pasurive të tjera nëpërmjet Agjencisë së Participimeve nuk janë shpikje të Pacollit. Ato janë forma të kapitalizmit shtetëror, që vende të caktuara europiane i kanë kaluar prej kohësh.

Dua të përqendrohem pak te platforma e tij e bashkimit kombëtar që nis nga ekonomia dhe që u shpall së bashku me Universitetin Europian të Tiranës. Në një studim të paraqitur në konferencën e organizuar nga Pacolli së bashku me UET, rezultonte se viset shqiptare para copëtimit të vitit 1912 i kishin të gjitha potencialet ekonomike për t’u begatuar: pozitën tranzite me portet dhe luginat ku kalonin dikur rrugët e kryqëzatave; minierat, bujqësinë e fushës së Kosovës, por jo vetëm, blegtorinë e shëndetshme. Sot këto potenciale kanë mundësi të ribashkohen sipas idesë së patriotizmit modern të Pacollit, pavarësisht ekzistencës së kufijve formalë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Po ku është problemi?

Në Kosovë sot është në fuqi elita e dështuar e këtyre 15 vjetëve, e luftës apo e trashëgimtarëve të paaftë të Rugovës. Kjo elitë për shkak të aparteidit serb s’trashëgoi kapacitete menaxheriale dhe administrative dhe as i krijoi në universitetet e dobëta të sotme që prodhojnë dështakë. Kjo elitë politiko-ekonomike që nuk po fiton bastin e lirisë, ofruar prej Perëndimit, udhëhequr prej Klintonit në 1999, ka të gjitha karakteristikat e regjimeve që kontrollojnë votën e qytetarëve, e që zakonisht kanë një fund të dhunshëm. Qytetarët, të kushtëzuar nga vendet e punës në administratën publike, në Polici, në arsim etj., të mashtruar nga premtimet gjigande të kësaj elite, nuk votuan njeriun e dëshmuar në biznes. Qytetarët e frustruar që ikin ose protestojnë nuk i besuan zotit të punës, por atyre që e përqeshin punën dhe njerëzit e saj, atyre që vinin prej luftës dhe që do duhej të kishin ikur në shtëpi pas përfundimit të saj. I besuan  alternativës neomarksiste apo alternativash që të gjitha përgjithësisht antiliberale!

Arsye jo thjesht për krenari, por edhe për t’i besuar votën

Si dikush që kam studiuar në Perëndim, më kanë pëlqyer sfidat e vjetra dhe të reja të Pacollit. Ai gjeti në jetën e vet harmoninë midis punës së madhe, studimit dhe ndërmarrësisë, rrathët bashkëqendrorë të jetës së tij. Shembullin e rrathëve na e tregoi aq bukur me shembullin e gurit që bie në një sipërfaqe uji, studentëve, profesorëve dhe mua personalisht kur e nderuam me titullin “Honoris Causa” në UET. Sipas fabulës së tij, sa më shumë punoi, aq më shumë fat prodhoi. Nga Kosova shkoi në Gjermani, studioi atje dhe më në fund bëri biznes nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas. Shembulli i tij më frymëzon, na frymëzon pse unë dhe moshatarët e mi kemi një përfytyrim tjetër për krenarinë kombëtare, ndaj ndihemi krenarë si bashkëkombës dhe bashkëkohës të tij. Nëse si shqiptare shkoj në vendet ku ai ka punuar nga Lindja në Perëndim, kam shumë arsye për t’u mburrur se i përkas të njëjtit komb me Behgjet Pacollin. Ka themeluar kryeqytetin e Kazakistanit, ka restauruar Kremlinin në Rusi, por edhe mjedise në Shtëpinë e Bardhë në Uashington! Kush na ka bërë krenarë në vendet e Lindjes? Ka rindërtuar teatrin “La Fenice” të Venecias, ka ndërtuar aeroporte në Peru, Amerikë Latine apo gjetkë në Afrikë. Me kë mburremi në këto vende të largëta? A nuk është patriotizmi i tij që bashkimin kombëtar e sheh tek ekonomia më së pari, diçka më realiste se dokrrat e tjera?

Kthehem te pyetja e parë. Pse bashkëkombësit e mi nuk e votuan Pacollin? Me siguri pse pjesërisht ua kanë vjedhur votën ose blerë atë, kësisoj duke i errësuar të ardhmen. Ndoshta bashkëkombësit e mi e kanë ndier shumë lart dhe shumë larg për shkak të madhështisë së tij. Ndoshta pse fushata e tij e parë në 2007 ka qenë e konceptuar gabim duke krijuar pritshmëri të madhe. Pacolli nuk mundi të ngrinte fabrika në çdo fshat me paratë e veta, si besonin kosovarët sot, mbase të zhgënjyer prej tij. Nuk ka asnjë shtet në botë ku një njeri i vetëm investon kudo. Ai shtet do të ishte shtet privat, shtet personal dhe s’do të mjaftonte për të ngritur këto fabrika, as buxheti i një shteti të mesëm. Pacolli mund të sillte botën në Kosovë, duke krijuar mundësi për zhvillim, por nuk e lejuan.
Pacolli është njeriu i ndërmarrësisë që matet me rezultatin. Jepjani mundësinë që si lokomotivë të prijë trenin e zhvillimit dhe atëherë ta vlerësojmë pa na lodhur me paragjykimet e patriotizmit të rrejshëm të atyre që në emër të luftës po na humbin paqen. Përndryshe, ngjashëm me popujt e Afrikës që flenë mbi ar, edhe populli i Kosovës do të lëngojë në një krizë si ajo e sotmja! Pse? Sepse karvanit nuk i prijnë “kafshët e duhura”! Ndaj Kosova përjeton një krizë që fajëson elitën politike ekzistuese njëlloj si elitat e korruptuara të vendeve afrikane. Është një krizë që i jep argumente Serbisë që t’u thotë sot çlirimtarëve perëndimorë të Kosovës: a nuk ju thamë se shqiptarët janë të paaftë të vetëqeverisen?

*MA Ekonomi Politike, Montpellier France. Doktorante UET