Ish – presidenti Pacolli dhe presidenti Begaj kalojnë kohë me banorët e shtëpisë së moshuarve në Gjinoc

THERANDE, 11 qershor, 2023 –

Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, ka takuar presidentin aktual të Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj.

Presidenti Pacolli dhe Presidenti Begaj, gjatë një vizite në qytetin e vogël të Therandës, vendosën të ndjekin një program të veçantë për të kaluar një mëngjes me banorët e shtëpisë së moshuarve. Ata dëshironin të dëgjonin historitë e tyre, të kuptonin nevojat e tyre dhe t’i kushtonin vëmendje kujdesit të tyre.

Presidenti Pacolli dhe Presidenti Begaj u pritën me gëzim dhe entuziazëm nga banorët e shtëpisë së moshuarve. Ata u treguan të hapur dhe të dashurë, duke iu afruar secilit prej tyre me respekt dhe kujdes.

Nikoqirë dhe organizatorë të takimit dhe vizitës ishin humanisti Halil Kastrati së bashku me kryetarin e Komunës së Therandës, Bali Muharremaj.

Presidenti Pacolli, njëherit edhe themelues i Fondacionit “Behgjet Pacolli”, fillimisht takoi një grua të moshuar, e cila ishte shumë e kënaqur të ndante me të pjesën më të rëndësishme të jetës së saj.

Ajo i tregoi Presidentit Pacolli historinë e jetës së saj, rrugën e saj të gjatë dhe sfidat që kishte përjetuar. Presidenti Pacolli e dëgjoi me vëmendje dhe i shprehu admirimin e tij për forcën dhe durimin e saj.

Në të njëjtën kohë, Presidenti Begaj takoi një burrë të moshuar, i cili ishte një i mbijetuar i Luftës së fundit në Kosovë. Ata nisën një diskutim të gjatë mbi përvojat e tij në luftë dhe angazhimin e tij pas saj.

Pastaj, pas takimeve me banorët e shtëpisë së pleqëve dy presidentët u pritën në zyrën e humanistit Halil Kastrati, i cili njëherit udhëheq këtë shtëpi.

Për këtë takim dhe eksperience ka shkruar z.Pacolli;

“Sot pata nderin të kaloj momente të bukura në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjinoc, me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, Humanistin Halil Kastrati, kryetarin e Komunës së Tharanda Bali Muharremajn, mikun e vjetër nga Prizreni Irfan Fushën dhe miq të tjerë”, ka shkruar z.Pacolli, duke shtuar se janë ndarë të kënaqur me këshillat e Presidentit Begaj për forcimin e dinjitetit kombëtar dhe të bashkëjetesës në rajon.

Edhe presidenti Begaj ka shkruar se është shembull i solidaritetit njerëzor, siç u shpreh, për të mos i lënë kurrë të ndjehen të vetmuar dhe të margjinalizuar.

“Shtëpia e të moshuarve në Suharekë të Kosovës, një shembull i jashtëzakonshem solidariteti njerezor, për të mos i lënë kurrë të ndjehen të vetmuar dhe të margjinalizuar.  Respekt për humanistin Halil Kastrati dhe mbi 3500 donatorët që e kanë mbështetur”, ka shkruar tutje ai.