Hebibët e Pejës kremtojnë lirimin e bijës së tyre

Shqipja ka lindur për së dyti, thonë Hebibët

Pejë, 23 Nëntor 2004 –

Një telefonatë e orëve të para të mëngjesit enkas për familjen Hebibi të Pejës i ka dhënë fund ankthit 26 ditësh për Shqipen e rrëmbyer në Kabul, më 28 tetor, nga militantë në Afganistan.

“Shqipja është liruar”, ka qenë lajmi më i gëzuar në jetën e Hebibëve i orës 4.30 të mëngjesit kur një zë i njohur për ta edhe më parë po e shprehte Shqipen e lirë bashkë me dy kolegët e saj punëtorë të OKB-së, të rrëmbyer përnjëherë.

Shpresa e madhe e Hebibëve se bija e tyre do të kthehet e gjallë u bë reale nga besimi i madh që kishin për biznesmenin kosovar dhe themeluesin e Fondacionit, z.Behgjet Pacolli që kishte shkuar enkas në Kabul për të liruar bijën e Kosovës, siç thoshte ai.

Vëllai i Shqipes, Naimi, tregon se gjatë gjithë kohës sa ajo është mbajtur peng, Pacolli kishte mbajtur lidhje direkte me të. Tregon se 6 telefonata kishte pasur nga Pacolli, duke i mbajtur shpresën se “ nuk do të kthehej në Kosovë pa e marrë Shqipen me vete”.

z.Pacolli kishte kaluar disa javë në Kabul duke negociuar për lirimin e Shqipes dhe dy kolegëve të saj, ka mohuar të ketë paguar për lirimin e Shqipes. “Jam shumë shumë i lumtur”, ka thënë ai duke falënderuar qeverinë afgane për progresin e arritur.