Fondacioni “Behgjet Pacolli” në shërbim të Kosovës

Lugano, shtator 1999 –

z.Behgjet Pacolli dhe disa nga pjestarët e Qeverisë së Kosovës në Lugano.

Menjëherë pas përfundimit të luftës Fondacioni “Behgjet Pacolli” sponsorizoi një konferencë për rindërtimin e Kosovës në Lugano të Zvicrës (ku mori pjesë edhe Qeveria e Kosovës).

Në këtë konferencë Fondacioni ka sponsorizuar një punëtori se si të bëhet privatizimi në Kosovë. Ekspertët nga Polonia ishin të pranishëm dhe qëndruan katër ditë në Kosovë.

Sipas konkluzioneve të këtij takimi, Fondacioni merr përsipër verifikimin e gjendjes në të gjitha fabrikat e Kosovës dhe tekniko-financiare me mbështetjen e kompanisë “Mabetex” dhe me angazhimin e tridhjetë inxhinierëve për gjashtë muaj.

E gjithë kostoja ishte mbuluar nga Fondacioni. Bazuar në studimin e kryer nga Fondacioni, me mbështetj en financiare të kompanisë “Mabaetex”, Fabrika “Silkapor”, reparti i konfeksioneve “Emin Duraku” Gjakovë, Fabrika “Ballakan” Suharekë, e tjegullave në Skenderaj, Fabrika e Ëmbëlsirave në Vushtrri, Fabrika e Qilimave në Gjilan janë vënë në funksionim.

Angazhimi i përgjithshëm i kësaj ndihme ishte milionësh. Fondacioni “Behgjet Pacolli” sponsorizon aktivitete të ndryshme për të kontribuar në zhvillimin e vendit, themelon dhe financon sindikatat e biznesmenëve të Kosovës. Themelon organizatën FORK dhe organizon takime me ekspertët e biznesit shqiptar dhe botëror.

Një forum i vertetë për Kosovën, si e themelova FORK-un

shkruan Behgjet Pacolli, marrë nga libri: nga Sfida në Sfidë

Pas studimit të thellë të realitetit ekonomik në Kosovë, menjëherë pas luftës unë mblodha në Zvicër, shumë ekspertë, vendimmarrës dhe njerëz të ekonomisë në Kosovë. Krijova FORK-un, organizimin që do të realizonte shndërrimet ekonomike në vendin tonë. Kisha studiuar modelet e tyre në vendet e Europës Lindore dhe modeli polak dukej më i përshtatshëm sesa ai gjerman. Disa ide për bujqësine: si e mendoja unë atë në rrethanat e reja?

Siç mund të kuptohej, Kosova në periudhën e pasluftès kishte hap cilësorë, çka do të realizonte kthesë që në krye të herës në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ata ishin të lodhur dhe të traumatizuar nga vuajtjet e okupimit dhe nga lufta, ndërsa ekonomikisht kishin humbur pothuajse çdo gjë.

Traumat e tyre, e dija se do të shëroheshin mbi të gjitha vetëm me mireqenie ekonomike. Tërë ekonomia e Kosovës ishte jashtë funksionimit dhe përjetonte kolaps të vërtetë. Reformat ekonomike duhet të ndodhnin sa më shpejt.

Fillimi i tyre ishte i kushtëzuar nga pronari, mbasi që ekonomia e Kosovës tani nuk kishte pronar. Para se të kërkohej pronari i ri, e dija se duhej të definohej objekti i cili duhej trajtuar. Pra kjo do të arrihei vetëm duke filluar evidentimin e të gjitha subjekteve ekonomike, duke definuar çka ato paraqesin, çka duhej të bëhej në mënyrë që ato të futeshin në funksion, cili do të ishte afati për këto veprime dhe sa do të kushtonin ato.

Statuti i Fondacionit të Rindërtimit të Kosovës.

Ideja ime ishte se Kosova mund të ndihmohej në shumë plane njëkohësisht dhe ndihma do kishte efekt nëse njerëzit kudo që ishin, duhet të bënin punën e tyre më së miri. Unë me kohë, e kisha ndarë mendjen: zhvillimi ekonomik ishte fusha që më përkiste mua. Por nëse për të kontribuar në këtë zhvillim me statusin e ndërmarrësit isha i bllokuar, me statusin e politikanit, kisha nje çelès më shumë.

Në kokën time silleshin shumë mendime dhe kujtoja përparësitë dhe dështimet që kishin ndodhur në vendet e ndryshme të lindjes në këtë drejtim. Më kujtohej dështimi total i agjensisë së mirëbesimit të privatizimeve në Gjermaninë Lindore dhe po ashtu më kujtohej rritja e mirëqenies ekonomike prej privatizimit në Poloni.

Statuti i Fondacionit të Rindërtimit të Kosovës.

Në rastin e Gjermanisë, çdo gjë ishte në shitje ndaj dokujt, pa marrë parasysh kush ishte blerësi dhe çka do të bëhej me objektin që trajtohej. Këtu kishte një përparësi tjetër që do t’i mungonte Kosovës në të ardhmen se transaksionet financoheshin nga vëllai i madh, Gjermania Perendimore (gjegjësisht nga shteti). 80% e këtyre privatizimeve ishin të dështuara dhe i sollën një humbje mbi 6o miliarde marka shtetit gjerman, ndërsa mireqenia qytetare dhe punësimi nuk përfituan.

Këto subjekte u trajtuan për herë të dytë dhe iu dhanë ndërmarrjeve të Gjermanisë Perendimore. Shumica e tyre në Gjermaninë Lindore u mbyllën dhe krahët e lirë u punësuan nëpër ndërmarrjet e Gjermanisë Perendimore. Investimet e mëdha të privatëve dhe të shtetit nga perendimi e bënë të mundur që në njëfare mënyre ekonomia e Gjermanisë Lindore të ringjallej. E dija, se një gjë e tillë në Kosovë nuk do ndodhte mbasi që Kosovës i mungonte vëllai i madh me investimet e tij – Shqipëria ishte e varfër dhe as që mund të mendohej se do lejohej ta bënte këtë edhe sikur të ishte e pasur. Shqipëria madje ishte e papërgatitur, për mundesitë e bashkëpunimit siç duket nga vëllimi i ulët aktual i shkëmbimeve ekonomike dhe mungesa e projekteve të përbashkëta.

Statuti i Fondacionit të Rindërtimit të Kosovës.

Nga ana tjetër studioja fenomenet e privatizimit në Poloni, të cilët e morën të mbarën. Në Poloni procesi nuk filloi me shitje, por u bë një parapërgatitje e shkëlqyeshme, u bë ligji adekuat për privatizim e posaçërisht për ndërmarrjet publike.

Krahas hartimit të ligjit jo vetëm nga juristët, por edhe nga ekonomistët, u bë evidentimi i të gjitha ndërmarrjeve, dikur shtetërore, ku ishte e përshkruar çdo gjë; çka paraqet objekti – gjegjësisht subjekti ekonomik, cilat ishin mundësite për t’i lëshuar, për t’u rivitalizuar, sa mjete dhe sa kohë do të nevojitej. Këto ndërmarrje iu besuan një agjensioni parashtetëror, të udhëhequr nga shoqëria civile me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë. Këtu punonin grupet profesionale, që veç e veç kishin formuluar kriteret e privatizimit të çdo ndërmarrjeje.

Statuti i Fondacionit të Rindërtimit të Kosovës.

Synimi kryesor ishte që blerësi i ardhshëm të ndihmohej me githë logjistiken që kishte ky agjension dhe çmimi të ishte solidar, çmim i cili në të shumtën e rasteve do të kreditohej në mënyrë që blerësi i ardhshëm të mbetej më solid dhe paratë e tij t’i angazhonte në zhvillimin e mëtejshëm të subjektit që përfitonte.

Çmimi blerës do të paguhej pa interes bankar, atëherë kur blerësi i ri do të përfitonte nga subjekti që kishte privatizuar. Kështu Polonia arriti që 90% të struktures ekonomike ta transformonte nga shtetërore në private duke ruajtur kapacitetin prodhues dhe duke shmangur humbjen e vendeve të punës. Procesin në Poloni e studioja nga afër dhe me intrigonte shumë. Doja që një gjë e tillë të ndodhte edhe në Kosovë.

Ky kishte qenë edhe motivi, përse menjëherë pas luftës, në shtator 1999 kisha themeluar Fondacionin për Organizimin dhe Ristrukturimin e Kosovës, FORK, me të cilin synoja të jepja kontributin tim në ndërtimin dhe rindërtimin e Kosovës. Ftova dhe qeverinë e atëhershme, me ç’ rast ftesës time ju përgjigjën pozitivisht Jakup Krasniqi, Ahmet Shala, Mazllum Komoni, Bujar Spahiu etj. Në Prishtinë dërgova aeroplanin tim, i cili i solli në Lugano.

Faksimili i programit dhe statutit të FORK-ut, iniciativa e parë dhe më cilësore për t’iu qasur zhvillimit ekonomik të Kosovës, pas luftës.

Pata ftuar dhe shumë ekspertë të tjerë nga diaspora. Ky fondacion u prezantua para mediave dhe u prit shumë mirë, gjë që ndikoi dukshëm në mbështetjen e tij. FORK-u merrte përsipër, sipas statutit të vet, gjë që të shërbente si bashkëbiseduesi kryesor i bashkësise ndërkombëtare për shpërndarjen e ndihmave, për deshtetëzimin e kompanive publike në shërbime, ekonomi, infrastrukturë etj., te ndihmonte në rindertimin, në kapitalizimin dhe privatizimin e tyre.

FORK-u mori përsipër gjithashtu të hartonte projekte në fusha të ndryshme të zhvillimit të ekonomisë. Boshti i punës së tij, sipas statutit, ishte rindërtimi dhe fuqizimi i kompanive publike, menaxhimi i tyre sipas parimeve të efektivitetit dhe rentabilitetit dhe pastaj marrja e kontakteve me investitorët e huaj për të siguruar kapitalizimin dhe privatizimin më të mirë. FORK-u kishte dhe objektiva të tjera si mbrojtja e mjedisit, miratimi i ligjeve të drejta etj. etj. Organizimi ishte modern, në formën e një fondacioni që drejtohej nga një bord me qendër në Prishtinë.

Ideja ime ishte që me ndërmarrjet shoqërore të Kosovës të mos ndodhte ajo që pikërisht ndodhi, çka praktikisht e shkaterroi ekonominë e Kosovës, kapacitetet e saj industriale duke prodhuar vetëm varfëri dhe asgjë tjetër.

Pse ndodhi kjo gjë unë e kisha parashikuar nisur nga eksperienca ime? Në dokumentin statutor të Fondacionit FORK ishte e përshkruar shumë qartë se si do të duhej të zhvillohej ky proces në Kosovë. Së pari duhej të rritej vlera e secilit objekt ekonomik, para se të hyhej në procesin e privatizimit. Po ashtu, fabrikat që kanë qenë gjysmë të shkatërruara, është dashur të bllokoheshin në atë gjendje dhe t’i besoheshin një organizate gjysmëqeveritare, pra as krejt qeveritare dhe as paraqeveritare, e cila do të përbehej nga një staf ekonomistësh dhe inzhinierësh.

Ata do të ishin të autorizuar të shkonin fabrikë më fabrikë, për të marrë situatën në dorë, duke bërë një analizë ekzakte. Ta zëmë, fabrika e tullave në Prishtinë. Ekspertët do të analizonin gjendjen e saj dhe do të propozonin masat. Që kjo fabrikë të rivitalizohej, ishin të nevojshme 300 mijë marka.

Natyrisht që Kosova në atë kohë nuk i kishte ato para, prandaj do të ftonte privatët që të investonin dhe atyre do t’u jepej fabrika në dispozicion deri në momentin kur të ktheheshin paratë e investuara, përfshirë kamatat, fitimin etj. Po me këtë rast, nga ekspertët do të vlerësohej nëse ata që e kanë pasur në dispozicion fabrikën, kanë qenë në gjendje ose jo të punojnë si duhet. Nëse po, atëherë do t’u thuhej: ju mund të jeni kandidatë potencialë për ta blerë këtë fabrikë dhe paratë e blerjës nuk duhet t’i jepen askujt, por nën kontrollin e ekspertëve, do të investohen në fabrikë. Ky ka qenë modeli më i mirë, i cili është dashur të aplikohet. Por në Kosovë s’ndodhi asgjë nga këto.

Unë nuk u mora thjesht me teori dhe diskutime doktrinare modelesh. Për të invetesuar konkluzionet e forumit ekonomik për Kosovën në Lugano, ashtu siç u parashikua në forum, me mjetet e mia financiare, dërgova në Kosovë një grup prej 30 inxhinierësh të lëmive të ndryshme, për 3 muaj. Këta vizituan çdo cep të Kosovës dhe çdo subjekt ekonomik. Në të kthyer, ky grup inxhinieresh bbri raportet për çdo subjekt ekonomik që e kishin vizituar. Nga këto raporte ishte e qartë: çka paraqet subjekti ekonomik, çka, si, kur dhe sa nevojitej për t ‘u rivitalizuar.

Hapi i parë ishte përmbushur dhe duhej që hapi i dytë të bëhej në Kosovë me interesimin e ketij fondacioni dhe fillimin e procesit. Ideja ime ishte që njëherë subjektet të rivitalizoheshin dhe të futeshin në punë, më tutje të gjendej blerësi potencial (adekuat profesionalisht), t’i jepeshin ato me kusht që puna të vazhdonte, të ruhej punësimi dhe të garantohej efektshmëria ekonomike, bile edhe blerësi të kreditohej në mënyrë që paratë që ai zotëronte mos t’i harxhonte në blerjen e subjektit, por t’i investonte në zhvillimin e tij.

Çmimi blerës mund të paguhej pa interes bankar mbasi që përfituesi do të kishte jetësuar subjektin e tij dhe prej tij do të kishte përfituar. Mua me interesonte që të gjeneronim sa më shumë njerëz të pasur në mënyrë që ata t’u ndihmonin të tjerëve. Në vitin 2000 unë kam pasur rreth 40 milionë marka të garantuara për Kosovën, plus 20 milionë para të mia të gatshme. Futja e këtyre parave në punë, për vitet e ardhshme do të organizonte hyrje të kapitalit tjetër deri në 350 milionë.

Atëbotë, e bëra projektin për Prishtinën e re, i cili besoj se edhe sot është diku në bodrumet e Komunës së Prishtinës. Qytetin e ri të Prishtinës, ose Prishtinën e re, e kisha planifikuar të ndërtohej në anën e djathtë të Veternikut, në atë shpatin që shkonte nga komanda e TMK-së e deri mbi kodrinë. Aty kisha planifikuar të bëhej një qendër afariste, qendër administrative dhe e biznesit, me një hotel luksoz, me garazhe, me tërë infrastrukturën, pra një qytet i ri me 30 mijë banorë. Jam përpjekur për realizimin e këtij projekti me tërë qenien time, por askush nuk deshi ta merrte në konsiderim. Sot, po të ishte perfillur ky projekt, e tërë administrata qeveritare do te kishte kaluar atje, me tërë infrastrukturën e saj dhe Prishtina nuk do të vuante këtë kaos që e ka aktualisht. Por jam sabotuar sistematikisht nga njerëz të klasës sonë politike, që e kanë parë me shqetësim këtë lloj hyrjeje apo rikthimi timin në Kosovë.

Modeli për të cilin unë dhe miqtë tanë punuam, nuk u pranua sepse me siguri ai nuk ofronte mundësi për përfitime për askënd, por ai do të siguronte një zhvillim të shpejtë të Kosovës. Unë ndërkohë isha i pajisur me tërë maturinë e nevojshme ndërsa i qasësha vendit tim. Nuk kisha as synimin më të vogël të kontrolloja jetën ekonomike të Kosovës, por doja t’i jepja një vrull të ri zhvillimit të saj.

Doja që themelet e shtetit, e shtëpisë sonë të re, të ngriheshin në mënyrë të shëndetshme. Kur ngre një shtëpi duhet të kesh shumë kujdes me themelet: nuk mund të kthehesh më mbrapsht të korrigjosh gabimet. Unë këto i dija, prandaj u angazhova aq shumë. Ndërkohë me angazhimin tim ekonomik në Kosovë unë doja të shlyeja ato që i konsideroja si mungesa të mëparshme. Kush më mirë se unë, mund të ndihmonte Kosovën në ato momente? Por ndodhi si ndodhi, dhe u zgjodh mënyra dhe modeli më i keq i privatizimit, të cilin unë e kam urryer, sepse kam qenë i bindur se do të ndodhte pikërisht ajo që ndodhi: u degraduan objektet, u ra vlera, u shpenzuan paratë e privatëve për blerje dhe tani as ska aktivitet prodhues, as ska investime në objekte.

Për këtë çeshtje shumë herë kam biseduar me perfaqësues të UNMIK-ut, sidomos me Rykerin, (Joakim Ruecker, ish kryeadministrator i Kosovës), të cilin e kam pasur mik, por ia kam thënë se ai mban përgjegjësi shumë të madhe për mënyrën e keqe se si është bërë privatizimi në Kosovë. Pa folur për problemet që krijohen me përdorimin e fondeve të krijuara prej privatizimit, që mund të bëhet vetëm me kushte shumë të forta të parashikuara në planin Ahtisari, sa kohë që disponohen në funksion të kreditorëve. Me këtë sy kritik po shoh gjithë procesin e pritshëm të kompanive publike të mëdha për të cilin po flitet sot në Kosovë.

Jam shprehur kundër këtij lloj privatizimi (PTK, KEK, Aeroport) apo koncesionimi jo transparent, që do të kryhet në vitin e fundit të mandatit të një qeverie, që shpreson se paratë do të përdoren për ndërtimin e rrugës Vërmicë-Merdare, për të cilën gjithashtu ka pasur mungesë transparence, projekti, parallogarish etj. etj. Jam shprehur gjithashtu kundër kthimit të parave nga privatizimi dhe atyre të Trustit pensional në arkat e qeverisë: ato para duhet të përdoren nëpermjet një Agjencie të Ardhmërisë së Kosovës, apo të Brezave të kontrolluar nga parlamenti, shoqëria civile dhe prania e huaj në Kosovë dhe duhet të destinohen vetëm në projekte për të ardhmen.

Thjesht për të treguar se jam koherent në idetë e mia, jo thjesht teorike, ditët e fundit të gushtit, me githë hallin e madh që më pllakosi me sëmundjen e nënës, kontaktova një grup financiar britanik. Ky ishte i gatshëm që t’i jepte kredi të favorshme prej 400 milionë eurosh PTK-së, në këmbim të manaxhimit të kësaj kompanie publike. Pas 6 vjetësh do të diskutohej me qeverinë. Kjo ishte një alternativë më e mirë se privatizimi i përfolur në periudhë krize globale dhe pa asnjë lloj plani.

E bëra këte parantezë rreth privatizimit dhe fondeve të krijuara prej tij, për të thënë se politikat ekonomike në Kosovë, pavarësisht se prej kujt janë fuqizuar ato, kanë qenë dhe mbetën shumë të gabuara. Këtë e them pa asnjë ekuivok, sepse në këtë fushë ndihem kompetent dhe i sigurt në konstatimet e mia. Unë arrij të kuptoj shumë qartë dhe thjesht sesa realiste janë ofertat për këtë ose atë privatizim apo koncesionim, sepse unë e njoh mirë tregun ndërkombëtar, njoh parimet e biznesit. Kjo situatë më ka shkaktuar vazhdimisht pakënaqësi, e cila shpesh është kthyer në brengë për të ardhmen e vendit tim.

AKR gjatë viteve 2007-2009 si në parlament e ashtu në debatet e veta publike u mundua që të luftojë këtë fenomen, por këtu mbeti e vetmuar dhe nuk pati fuqi që të ndryshojë, gjegjësisht t’ i parandalojë gjërat. E pra, të nderuar miq, që në vitet e para të lirisë, unë nuk mund të isha indiferent dhe të shikoja i patrazuar atë që ndodhte. Në ato rrethana, nuk kisha ndonjë zgidhje tjetër, përveç se të bëja projekte, t’i ofroja ato, pavarësisht se refuzimi ka qenë pothuajse i ditur që më parë. Nuk kam mundur asnjëherë të pajtohem me faktin, që unë të ndërtoi e të rindërtoi objekte madhështore në anë të ndryshme të botës, kurse në vendin tim të mos arrij të bëj asgjë për shkak të pengesave të të tjerëve. Ky ka qenë dhe vazhdon të jetë një absurditet, me të cilin nuk jam pajtuar asnjëherë.

***

Ndoshta pas këtyre arsyetimeve mbi privatizimin, mund të mendohet se unë e kam harruar bujqësinë, angazhimin tim kryesor derisa dola në rrugët e mëdha të jetës. E vërteta eshtë krejt ndryshe. Kush më ka parë në udhëtimet e mia në mbarë Kosovën, e ka vërtetuar se me sa pasion e lehtësi zhytem unë në bisedat për bujqësinë dhe të ardhmën e saj.

Ashtu siç thuhet ne Bibël se “e para ishte fjala”, ashtu thuhet dhe se “njeriu i parë, fisniku i parë, ishte bujk”. Ne shpesh e harrojmë këtë të vërtetë të madhe, megithëse vijmë nga paraardhës që ishin apo janë bujq. Unë kam bredhur shumë nëpër botë dhe kam bërë shumë profesione, por me deshirë dua të mbetëm i lidhur me bujqësinë, me bujqit. Mendoj shumë për fëmijèrinë time, për të parët e mi, bujq edhe ata. E dua fshatin dhe më shumë deshirë jetoi në Kosovë në një zonë bujqësore. E kam vlerësuar githnjë Presidentin Rugova veçanerisht për mesazhet e tij të thjeshta për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve, traditës së prodhimeve tona dhe si një Iloj amaneti prej tij, dua të punoi vazhdimisht për këto sektore, ku është mbështetur mbijetesa jonë kombëtare në shekullin e mijevjeçare.

Jemi një vend i bekuar nga perendia. Kemi shumë fushë dhe pak bjeshkë në territorin e shtetit tonë të ri, por kjo s’do të thotë se duhet të tolerojmë uzurpimin e tokës bujqësore. Ne kemi shumë ujëra, por duhet t’i sistemojmë ato në të gjithë funksionet, për ujitje, pirje etj. dhe të mos i lejojmë ujërat të derdhen kot.

Jam tronditur gjithnjë nga indiferenca që karakterizon shtetin ndaj burimeve të Istogut, ku mund të silleshin fabrika të ujërave me renome ndërkombëtare, të ngriheshin fabrika të përpunimit të frutave etj. Ne kemi gjithashtu një traditë të shkelqyer të kultivimit të produkteve të ndryshme bujqësore, por sot që ne po flasim në mes të 2010, ne e punojmë tokën 3 herë më pak se Maqedonia. Ne kemi qenë një lloj hambari i gjithë ish-Jugoslavisë me disa prej produkteve tona, por sot shumicën e produkteve bujqësore e sjellim nga Maqedonia dhe Serbia. Pse, pra, ne sot nuk mund të jemi përsëri një vend i zhvilluar bujqësor?

Pse ne nuk mund të risjellim traditën e mrekullueshme të prindërve tanë, të etërve tanë? Pse kur një pjesë bukur e madhe e popullsisë sonë jeton në fshat, ne nuk mendojmë për të? A do të vazhdojmë të jemi peng i importeve nga një vend armiqësor me ne si Sërbia? A do të vazhdojmë të kushtëzohemi nga interesat e importuesve që fitojnë miliona në kurriz të bujqve tanë, fermerëve tanë, anembanë Kosovës?

Unë i kam ftuar vazhdimisht qeveritë e Kosovës, klasën tonë politike, të mendojë me kokë, por shumë gjatë ama. Të mendojmë gjatë, domethënë të mendojmë në mënyrë afatgjatë. T’i rikthehemi tokës. Të investojmë në bujqësi me shumë burime sot dhe do të fitojmë shumë nesër. Është miopi të mendohet se kjo do të thotë të shpenzojmë para të buxhetit tonë pa kthim. Toka është bujare, ajo ta kthen shumëfish investimin në të. Kosova duhet të shfrytëzojë traditen, burimet e veta natyrore dhe njerëzore. I kam vlerësuar dhe i vleresoi mesazhet e kreut të Vetevendosjes Albin Kurti, me parë me artikuj në media, por dhe gjatë protestave të tij, se shteti ynë duhet t’u shërbejë prodhuesve vendorë dhe jo tregtarëve, atyre që shesin produktet e ardhura nga jashtë. Këto kërkesa të bujqve, të mbështetur nga zotëri Kurti, kanë qenë dhe mbeten pjesë e programit tonë politik si AKR, shtyllë e ketij programi.

Gjatë githë takimeve tona me elektoratin, në të gjitha fushatat tona zgjedhore, ne e kemi vënë theksin te bujqësia. Ne kemi kërkuar që të kthejmë interesin e të rinjve tanë te bujqësia nëpërmjet krijimit të një rrjeti të shkollave të arsimit profesional në përgjithësi dhe atij bujqësor në veçanti. Ne asnjëherë nuk kemi harruar bujqësinë. E bëj këtë pohim, për t’ju përgjigjur atyre që sot mund të thonë: më shumë vonesë, z. Pacolli. Jo! Të vonuar janë ata që kujtohen për bujqësinë kur ka protesta apo që thonë se “pusheti ynë i ka mundësitë e kufizuara në raport me nevojat e bujqësisë.” Kam shumë prova të këtij vetedijësimi tonë për bujqësinë, që zë fill me programin tonë politik, apo me ndërhyrjet e shumta në parlament, nëpër ndeja publike, oda etj.

Më duhet të them se unë mendoj çdo ditë për rrënjët e mia, për rrënjët tona, për tokën. “Toka është e mirë, e butë, e durueshme dhe shërbyese e vazhdueshme për kërkesat e vdekatarëve. Sa gjëra prodhon ajo, dhe sa të tjera i shkatërron, sa aroma, shije na ofron! Me sa ndershmëri na i rikthen thesarët që i besomë! Sa gjëra të dobishme ushqehen ajo për ne! Toka është nënë. Prej saj vijmë dhe te ajo do të kthehemi. Në të do të na varrosin kur githçka të mbarojë. Ajo është fillimi dhe fundi, githçka tjetër është përrallë”, thoshte një mendimtar latin dje dhe sot fjalët e tij tingëllone të përjetshme. Edhe për ne, në Kosovë.

Kam menduar gjithashtu për zhvillimin e blegtorisë, veçanërisht kur në mëngjeset e mia në Kosovë duhet të konsumoj qumështin e ardhur nga larg, nga Sllovenia, për të cilin ne harxhojmë shumë. Ne paguajmë me paratë tona punëtorët e shtrenjtë sllovenë, transportin e stërzgjatur nëpër rrugët e Ballkanit, paketimin artificial, para që po të përdoreshin ndryshe, do të kishin mundësuar krijimin e një sistemi blegtoral që zë fill nga familja e blegtorit deri te një fabrikë e madhe e qumështit për githë Kosovën. Do të duhej të mbështetej familja e blegtorit me kredi për lopë të mira, do të ngriheshin laboratorë, tregje, pika grumbullimi deri në ndërtimin e fabrikës së madhe.

Ashtu si pa menduar u zhyta në idetë e mia për ekonominë, bujqësinë dhe blegtorinë në veçanti, për të cilat flas githnjë me pasion. Dhe sdo të lodhem kurr deri sa të vdes.