Dje në qytetin e Shkodrës, një konvoj me ndihma humanitare i Fondacionit “Behgjet Pacolli”, i’u dorëzua autoriteteve lokale. Konvoji prej 4 kamionësh të tonazhit të rëndë, përmbante 100 ton koncentrat ushqimor për bagëtinë.
Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, njëherësh kryetar i komisionit të emergjencave, e falënderoi përfaqësuesin e këtij Fondacioni, Rrahim Pacolli, për ndihmën e dhënë dhe e njohu atë me ecurinë e situatës në këtë rreth të prekur rëndë nga përmbytjet, dhe veçanërisht me gjendjen e bagëtisë në këtë qark.
Përfaqsuesi i Fondacionit “Behgjet Pacolli”, z. Rrahim Pacolli tregoi për arsyet e iniciativës së ndërrmarrë për t’i ardhur në ndihmë në këtë mënyrë blegtorëve të këtij qarku.
“Ne vendosëm ta ndihmojmë popullin vëlla të Shqipërisë me rastin e vërshimeve. Për më shumë zoti Pacolli që ka lidhje shpirtërore me fshatin, duke ditur rëndësinë e kafshëve për një familje blegtorësh, duke ditur humbjet e rënda në bagëti dhe nevojat për ushqimin e tyre, vendosi të sillte këtë ngarkesë me koncentrat ushqimor”.
Qarku i Shkodrës është nga qarqet më blegtoralë të vendit. Ai ka rreth 50000 lopë, të organizuar dhe në ferma të mëdha. Ndihmat u shpërndanë në disa fshatra, mes të cilëve Dajçi, komuna më e prekur për humbjet në bagëti dhe u vlerësua shumë në ceremoninë e organizuar me këtë rast.
Në takim merrnin pjesë autoritete lokale të qarkut të Shkodrës, kryetari i komunës së Lezhës, z. Viktor Tusha, komunë që e ka shpallur z. Behgjet Pacolli, qytetar nderi, vetëm para pak muajsh. Ai e konsideroi këtë kontribut të z. Pacolli, si të parin në bashkëpunimin e kësaj zone me këtë personalitet të rëndësishëm të Kosovës.[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]