PRISHTINE, 16 qershor, 2016 –
Bukurije Gegajt dhe dy fëmijëve të saj nga Studençani i Therandës i’u ndërtua shtëpia e re nga Fondacioni “Behgjet Pacolli”. Momenti i hyrjes në shtëpinë e re ishte tepër emocionues për kryefamiljaren, të cilës burri i’u vra gjatë luftës si pjesëtar i UÇK-së.
Në shenj falënderimi kryefamiljarja së bashku me vajzën Dianën dhe djalin Luizin, kanë dërguar në adresë të Fondacionit, një letër falënderim për themeluesin z.Behgjet Pacolli.
Shkresë falënderuese për ndërtimin e shtëpisë
Si familje e dëshmorit të kombit, Omer Gegaj, shpeshherë kemi diskutuar si të iu falënderojmë për mbështetjen që na është dhënë nga ju, në kohën kur mendonim se për ne nuk do të ngrohte më dielli.
Me ndihmën tuaj që bëtë në atë kohë, ne jo vetëm që u bëmë me shtëpi, të cilën na keni ndërtuar nga vullneti dhe shpirti juaj human, por në atë kohë, kur nga ne u nda përgjithmonë më i dashuri ynë, bashkëshorti dhe prindi ynë, Dëshmori i Kombit, Omer Gegaj, mbetëm edhe pa shpresë se do të vinte një ditë që edhe ne të kishim kulm mbi kokë.
Nuk do të mjaftonte edhe po të shkruanim një roman për veprën tuaj madhore dhe lumturinë që i sollët familjes sonë, shumë familjeve tjera në Kosovë. Pasi vajza jonë studion gazetarinë, do të vijë një ditë dhe do të mbledhë shënime për veprat tuaja humane, të cilat do ti botojë një një libër, me qëllim të iu falënderojë për veprat tuaja madhore në përgjithësi, konkretisht për ndihmën që ia keni ofruar familjes sonë.

Edhe pse ndoshta me vonesë po e bëjmë këtë shkresë falënderuese, duke mos pasur mundësi që të bëjmë më shumë deri tani për ju, po ju drejtohem me një thënie simbolike, e cila e ka mesazhin e qartë se sa mirënjohës ju jemi në si familje. Nëse festat e shenjta të kombit tonë meritojnë të shënohen më shkronjë të mëdha, veprat tuaja të mëdha meritojnë të shënohen me shkronja të shenjta!
Zoti i bekoftë të gjithë ata që i ndihmojnë të pastrehët!
Zoti ju bekoftë juve dhe familjen tuaj, i nderuar prindi ynë jobiologjik,z.Behgjet Pacolli.
Duke ditur se keni obligime, do të ndiheshim shumë të nderuar nëse do të gjenit kohë të na vizitoni ju dhe familja juaj, apo edhe shoqëruesit tuaj në një drekë modeste – tradicionale në shtëpinë tonë të ndërtuar nga ju, ose së paku të vinit të pinit një kafe tek ata që iu janë mirënjohës përjetësisht.
Me respekt dhe nderime përkulemi para veprës suaj në familja e dëshmorit të kombit, Omer Gegaj.


Biografia e Omer Gegaj, dëshmorë i Kombit
Kur forcat serbe filluan aksion të gjerë të masakrave, dhunës dhe spastrimit etnik, duke i detyruar tërë banorët shqiptarë të largohen nga fshatërat e tyre, Omer Gegaj aktivitetin e tij e përqendroi në luftën për liri.
Omeri ishte nga ushtarët e parë që ishte bashkuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga data 25.06.1998. Fillimisht angazhohet në formacionet e rregullta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Batalionit i II që ishte i vendosur në Budakovë, në kuadër të Brigada 123 në Zonën Operative të Pashtrikut .
Ishte një gjendje e rëndë dhe çdo kund ndihej terrori që ushtronte Policia, Ushtria serbe dhe sistemi çetnik i Miloshoviqit mbi popullatën shqiptare, Omeri si ushtar i UÇK i gjendur ne këtë situata ku po zhvillonte luftime në fshatrat e Suharekës si në Bukosh, Budakovë, Greiqevc, Qafë e Dulës etj.
Ai së bashku me shumë luftëtaret pozicionohen në fshatin Bukosh, ku vepronte Kompania e II e Batalionit. Omeri për ditë me radhë ishte në vijën e parë të frontit ku luftohej në distancë të afërt me armikun, edhe pse të pabarabartë në armatim dhe më të paktë në numër, ishte trimëria e guximi i paepur i ushtarëve të UÇK-së, që nuk lejonte depërtimin e forcave serbe në zonat e banuara me popullatë civile.
Omeri shpesh kishte udhëtuar (30.06.1998) për në Shqipëri ku bëhej furnizimi me armatim për UÇK-në. Ishte pjesmarrës edhe në betejën e grykës së Llapushnikut. Deri në gushtin e vitit 1998 Omeri kishte vepruar në fshatin Shiroke, pastaj pas ofanzives së datës 01.11.1998 ai kishte bërë përcjelljen e ushtarëve dhe eprorëve të njësive të zonave dhe brigadave tejra.
Omeri vazhdoi luftën në betejat e egra e të fuqishme edhe pasi ishte pozicionuar në skuadren e parë me komandant skuadre, Rifat Tafaj, Toga e dytë me komandant Ruzhdi Sallauka, kompania e parë në fshatin Studençan, me komandant Agron Tafaj. Aty qëndroi deri n/ ofanziven e dytë të muajit mars të 99-tës.
Kurse nga muaji prill i 99-tës, Omeri kishte vepruar në togen e stacionuar në fshatin e tij në Studençan, ku nga një betej e ashpër duke luftuar me forcat serbe, ai në mbrojtje të shokëve të plagosur nga kjo betejë u përjetësua në altarin e lirisë, duke u shtuar emrit të tij, epitetin e lavdishëm të Dëshmorit të Kombit.
Për ushtarët e UÇK që sot e kujtojnë Dëshmorin, Omer Gegaj është e pamundur që të mos i kujtojmë virtytet e larta njerëzore që kishte në personalitetin e tij. Si i ri ishte një djalë i urtë e punonte shumë, i sjellshëm e i edukuar, i dashur e plote gjallëri për jetën. Si nxënës nuk ishte perj të dalluarve por rroki armën për të dhen kontribut në zhvillimin e atdheut, kishte shumë ëndrra për të ardhmen, ishte një prind dhe bashkëshort i devotshëm.
Si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i vetëdijshëm se liria do të fitohet duke luftuar ishte pjesë e pa ndashme e UÇK-së, i qëndrueshëm dhe i pa luhatur në vendimet që merrte, besnik e i guximshëm, luftëtare sy pa trembur, i shkathët, bashkëpunues dhe mbështetës i shokëve luftëtar dhe shumë cilësi tjera. Dëshmori OMER GEGAJ është pishtar i ndriçimit të rrugës sonë dhe gur themel i lirisë që e gëzojmë.
Lavdi Dëshmorit OMER GEGAJ dhe gjithë Dëshmorëve të Kombit Shqiptarë!