Behgjet Pacolli nderohet me çmimin ”Qytetar Nderi i Lezhës”

“Kur pashë insertin e z.Behgjet Pacolli, u mahnita nga përkushtimi dhe puna e palodhshme e tij dhe se si mundet një individ i vetëm të arrijë në një dimension të tillë. Behgjet Pacolli e ka ngritur emrin e shqiptarëve në botë me punën dhe humanizmin e tij”

LEZHE, 3 shtator 2010 –

Disa muaj pas nderimit nga Unioni i paqes në Botë me titullin “Kalorës i Paqes i Mijëvjeçarit”, presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli u nderua nga Këshilli Bashkiak i Lezhës me çmimin “Qytetar Nderi i Lezhës”.

Në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi në mesin e mysafirëve nga Kosova, kishin ardhur edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak të Lezhës. Në shenjë respekti për të zgjedhur lokalë të këtij Këshilli, i pari në gjithë hapësirën kombëtare që e ka nderuar z. Pacolli me titullin “Qytetar Nderi”, me dëshirën dhe kërkesën e vetë të zgjedhurve.

Më pas fjalën e mori kryetari i Këshillit  Komunal të Lezhës, Frano Kulli, i cili tha se vendimi për ndarjen e çmimit “Qytetar Nderi i Lezhës” ka ardhur si motivacion për kontributin dhe punën e madhe të z. Pacolli si biznesmen dhe humanist në rrafshin kombëtar dhe atë ndërkombëtar.

“Nuk ka qenë vendim i rastësishëm por duke analizuar të gjithë punën humaniste si dhe veprimtarinë e tij për çështjen kombëtare e veçanërisht për lobimin e jashtëzakonshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kjo është më së paku që mund të bënim”, u shpreh ai.

Ndërsa duke e falënderuar z. Pacolli për veprimtarinë e tij, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha i përshëndeti të pranishmit duke thënë se është një ndjenë e veçantë për të që gjendet në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

“Kur pashë insertin e z.Behgjet Pacolli, u mahnita nga përkushtimi dhe puna e palodhshme e tij dhe se si mundet një individ i vetëm të arrijë në një dimension të tillë. Behgjet Pacolli e ka ngritur emrin e shqiptarëve në botë me punën dhe humanizmin e tij”, tha ai.

Vendimi për ndarjen e këtij çmimi ishte marrë në unanimitet nga Këshilli Bashkiak i Lezhës me datë 03.09.2010 për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Qytetit të Lezhës z. Behgjet Pacolli, President i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe humanistit të njohur në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.