Mitrovicë, 2 shtator 2024 –

Në kuadër të angazhimeve tona për të mbështetur arsimin dhe të rinjtë, Fondacioni “Behgjet Pacolli”, ka ndërmarrë një iniciativë të veçantë për shpërndarjen e çantave shkollore për nxënësit e shkollave të zonës së Shalës.

Ky aksion humanitar filloi në shkollën e fshatit Bistricë dhe vazhdoi me sukses në shkollat e fshatrave Vllahi, Melenicë, Bajgorë, Rahovë dhe Qabër. Çantat e shpërndara përmbanin mjete shkollore esenciale, duke siguruar që çdo nxënës të ketë mjetet e nevojshme për të nisur vitin shkollor me entuziazëm dhe të përgatitur.

Nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës “TREPCA” në fshatin Melenicë, duke pranuar donacionin e dhuruar nga fondacioni “Behgjet Pacolli”.

Ky është vetëm fillimi! Aksioni i shpërndarjes së çantave do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke synuar të mbulojë edhe më shumë shkolla dhe fëmijë në nevojë në zonat përreth. Ne besojmë se investimi në arsim është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për zhvillimin e vendit tonë.

Në këtë fillim të ri shkollor, Fondacioni “Behgjet Pacolli” i’u dëshirojnë të gjithë nxënësve një vit të mbarë, të mbushur me shëndet, suksese në mësime dhe përmbushje të ëndrrave. Ne jemi krenarë që mund të jemi pjesë e udhëtimit të tyre arsimor dhe të mbështesim të ardhmen e tyre.

Në shkollën “Jashar Begu” në Vllahi ku u dhuruan çanta dhe pajisje tjera shkollore nga fondacioni “Behgjet Pacolli”.

Faleminderit të gjithëve që na mbështesin në këto iniciativa dhe që ndihmojnë në përmbushjen e misionit tonë për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Shoqatën “Bereqeti” – dega Mitrovicë.

Donacioni u pranua edhe nga stafi i shkollës “Mehë Uka” në Shalë të Bajgorës.