Gjakovë, 7 qershor 2016 –
Mëngjesin e 7 majit të vitit 1999, Çabrati i Gjakovës agoi nën rrethimin e forcave të shumta të Serbisë.
Në mbrojtje të civilëve doli Brigada 137 “Gjakova”. Luftimet e ashpra mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe vazhduan deri më 11 maj. Në këto ditë maji të vitit 1999, në Çabrat e në rrethinat e qytetit, ranë 26 dëshmorë e më shumë se 100 martirë.

Mbi 350 civilë të moshave të ndryshme u rrëmbyen me dhunë. Shumë prej tyre u mbajtën peng në burgje të ndryshme.
Për të kujtuar përjetësisht djemtë dhe vajzat që luftuan në betejën e Çabratit, themeluesi i Fondacionit “Behgjet Pacolli”, ka financuar dhe nga afër ka marrur pjesë në përurimin e lapidarit.
I përjetshëm qoftë kujtimi për 1022 martirët dhe 361 ushtarët dëshmorë të Gjakovës!

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!
Në lagjen “Mulla Jusuf” përbri Urës Monumentale të Taliqit, në Gjakovë, me 7 maj të vitit 1999 në një aksion të planifikuar dhe organizuar hollësishëm, ku ishin të përfshirë forcat e mëdha policiore dhe paramilitare serbe, me ç’rast u kapën dhe pastaj u masakruan 26 banorë të paarmatosur të kësaj lagje.

Për të kujtuar këta martirë dhe veprën e tyre Fondacioni “Behgjet Pacolli”, ka mbështetur financiarisht ngritjen e këtij monumenti.
Duke folur në këtë manifestim, njëri nga të mbijetuarit e kësaj masakre, Agron Binaku, ka thënë se kujtimi për martirët e kësaj masakre, do të jetë pjesë e pandashme e jetës së banorëve të kësaj lagje dhe të Gjakovës.
“Monumenti i përuruar është një dëshmi e krimit të paparë që kriminelët serb e bënë ndaj popullatës së pafajshme në Gjakovë”, tha Nysrete Kumnova, në emër të shoqatës Thirrjet e nënave.

Marec, 4 shtator 2009 –
Objektet fetare zënë vend me rëndësi në agjendën e Fondacionit “Behgjet Pacolli”. Deri më tani një numër i madh i xhamive dhe objekteve të tjera fetare janë rinovuar ose ndërtuar tërësisht nga Fondacioni.
Në kuadër të këtyre financimeve infrastrukturore të objekteve të kultit, janë renovuar xhamia në Marec, Hajvali dhe Zllatar të Prishtinës.
Xhamia e Marecit
Restaurimi, renovimi dhe ndërtimi i Xhamisë së Marecit u financua nga z.Behgjet Pacolli. Për më shumë kjo xhami ka rëndësi të veçantë për z.Pacolli, pasi është në vendlindje.
Më 4 shtator 2009, fshatit Marec të Prishtinës për një kohë iu rikthye gjallëria… Qindra qytetarë i’a kishin mësyer Marecit për të marrë pjesë në përurimin e xhamisë së re, që është financuar nga Fondacioni “Behgjet Pacolli”.


Në manifestimin e përurimit të xhamisë së re të Marecit, morën pjesë shumë personalitete të njohura: Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, themeluesi i Fondacionit z.Behgjet Pacolli, kryetari i PD-së, Ferid Agani, etj..
“Rindërtimi i xhamisë është një lajm i mirë, sepse në këtë fshat të Malësisë, që është edhe zonë kufitare, mund të rikthehet jeta nëse investohet në objektet e infrastrukturës dhe u krijohen kushte njerëzve për jetë të dinjitetshme”, tha myftiu i Kosovës.


Për herë të parë pas shumë vjetësh, këtu është falur namazi i xhumasë në xhaminë e mbushur përplot xhematlinj.
Folësit në ceremoninë e organizuar, hapjen e xhamisë e kanë cilësuar një hap simbolik për rikthimin e jetës në këtë fshat që është braktisur nga banorët.
Financuesi i ndërtimit të xhamisë, Behgjet Pacolli, tha se e kishte ndier obligim moral ta kryente këtë vepër.

“Këtu janë falur babai dhe babagjyshi. Këtu kam dëgjuar prej tyre krejt historinë e të parëve. Na ka ardhur keq që ishte e pamundur ta restaurojmë objektin e vjetër të xhamisë, sepse ishte dëmtuar shumë”.
Pacolli tha se do të ishte i lumtur nëse ky objekt fetar do të mbushej me praktikues të obligimeve fetare islame.
Ai ka premtuar se do të angazhojë një kujdestar, i cili do ta mbajë hapur xhaminë gjatë ditës.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në këtë ceremoni tha se ndihet krenar që donatori i këtij objekti fetar është një bir i këtij vendi, dhe me këso veprash ai do të ngrejë vlerat fetare dhe familjare.
“Në këtë ditë të xhuma, Allahu (xh. sh.) nuk i kthen mprapsht lutjet e sinqerta. Ne I lutemi Atij që Behgjet Pacollin dhe familjen e tij, ta shpërblejë me të mira në këtë botë dhe në Botën tjetër”.
Myftiu Tërnava tha se duhen bashkuar forcat për të ndërruar e rindërtuar xhamitë dhe objektet fetare kudo nëpër Kosovë.

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, tha se këtyre vlerave duhet t’u jepet përparësi edhe gjatë ndërtimit të institucioneve shtetërore.
“Ne shpresojmë se Behgjet Pacolli, siç e ndërtoi këtë xhami, do të kontribuonte për ndërtimin e organeve shtetërore” – tha ai.



Xhamia e Hajvalisë
Është kontribuar me mjete financiare edhe në ndërtimin e objekteve tjera të kultit. Edhe xhamia e Hajvalisë është restauruar e renovuar nga Fondacioni “Behgjet Pacolli”.

Ismet ef Limani ishte imami i parë në këtë xhami, ai aktivitetin e vet më të madh e dha në këtë xhami, ku qe edhe imam i parë që nga viti 1986, ku përveç që i priu dhe organizoi xhematin, ai një kontribut të madh dha në edukimin e brezit të ri qoftë përmes derseve e ligjëratave, qoftë përmes pranisë së tij në xhematë e sidomos në mbajtjen e mësim-besmit.
Megjithëse xhemati në Hajvali asokohe ishte si xhemati i ri, ndërtimi i xhamisë e më pas angazhimi dhe veprimtaria e Ismet efendiut, shumë shpejt, atë dhe xhaminë e bënë model të mirë për të gjithë.



Kurse pas gati 20 viteve z.Behgjet Pacolli, përmes fondacionit renovoi dhe ndërtoi xhaminë.
Xhamia e Zllatarit
Edhe një donacion tjetër i radhës nga z.Behgjet Pacolli për objektet e kultit shkon në xhaminë e fshatit Zllatar të Prishtinës. Aty fondacioni “Behgjet Pacolli”, financoi minaren e këtij objekt kulti.

Prishtinë, qershor 2007 –

Luftërat e vazhdueshme, veçanërisht në vitin 1999, e kanë dëmtuar rëndë trashëgiminë kulturore të vendit. Fondacioni “Behgjet Pacolli” merr pjesë në aktivitete të rëndësishme në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Në këtë kontekst, Fondacioni tashmë ka kontribuar jashtëzakonisht shumë. Rinovimi i xhamisë së Llapit, e ndërtuar në vitin 1470, ishte një nga veprimet e para të Fondacionit në këtë lidhje.


Kjo xhami e vjetër gati ishte e shkatërruar gjatë luftës në Kosovë më 1999. Fondacioni ka kontribuar në rinovimin e xhamisë së Llapit në Prishtinë me mjete financiare dhe logjistike.
Si erdhi deri te restaurimi
Ka patur disa iniciativa për restaurimin e kësaj xhamie, por të gjitha kishin dështuar deri sa te realizimi i një restaurimi të mirëfilltë u ndërmor pas një bashkëpunimi në mes të pronarit të kompanisë “Mabetex”, njëherit themeluesit të Fondacionit “Behgjet Pacolli”, IKMM-së (Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës .

Ky projekt filloi në vitin 2007 dhe pas rreth dy vjetësh Xhamia e Llapit me objektet përcjellëse përjetoi një ndryshim mjaft të madh dhe pamje të bukur, fal restaurimit mjaft përmbajtsor (duke eliminuar objektet të imponuara përreth) dhe duke e nxjerr në pah objektin e xhamisë.
Ky intervenim besojmë se në aspektin kohorë do t’ia zgjasë jetën kësaj xhamie.


Xhamia nga ajo periudhë (2009) është lëshuar në përdorim dhe tani ka frekuentimin e zakonshëm si dhe plotësimin e disa kritereve që i nevojiten objetkeve të tilla të rëndësishme.
Historiku i Xhamisë “Ramadanije”
Depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan reflektohet ndër të tjera edhe me fillimin e ndërtimin e objekteve fetare, konkretisht xhamive. Njëra ndër to në qytetin e Prishtinës është edhe xhamia e Llapit apo Ramadanie siç njihet ndryshe.
Nuk ka një datë të saktë të ndërtimit të saj, por gjasat më reale janë ato të pjesës së dytë të shekullit XV-të ku përmendet viti i ndërtimit 1470 dhe mesi i shekullit të XVI-të kur përmendet viti 1551.
Xhamia e Llapit ka marrë këtë emër ngase ndodhet në rrugën që të shpie në drejtim të rajonit të Llapit ose paraqet njërën ndër objektet e para që haseshin atë kohë në hyrje të qytetit të Prishtinës nga ajo anë.
Në kë link mund të shikoni një reportazh rreth Xhamisë “Ramadanie”.
Në fillim të ndërtimit objekti besohet të ketë qenë Mesxhid, por me kohë është avancuar dhe u shndërrua në xhami dhe fitoi planimetrinë që ka sot dhe e cila përmban: sallën e lutjeve, minaren dhe hajatin.

Në enterier prezentohet mihrabi, minberi dhe mafili si dhe dekoracioni piktural i cili ka qenë mjaft i dëmtuar.
Gjatë periudhave të ndryshme kohore kjo xhami ka përjetuar edhe ndërtime përreth saj, pastaj edhe intervenime në vetë xhaminë e të cilat kanë bërë që xhamia të përjetojë një degradim dhe humbje të origjinalitetit.
Kulminacioni i dëmtimit të kësaj xhamie ishte ai i periudhës së luftës së viteve 1998-99 kur ky objekt u dogj nga forcat serbe (në muajin prill 1999) duke i shkaktuar dëme mjaft të mëdha.

Kamenicë – 21 Mars, 2013
Këshilli i Bashkësisë Islame në Kamenicë falënderon fondacionin “Behgjet Pacolli” dhe personalisht themeluesin e këtij fondacioni Behgjet Pacollin i cili e ka ndihmuar Bashkësinë Islame të Kamenicës me 20.000 euro.
Ditë më parë Kryetari i Bashkësisë Islame Ef. Eshref Cakolli i ka kërkuar mbështetje Presidentit Behgjet Pacolli për blerjen e një autoveture për bartjen e kufomave dhe për nevojat e Bashkësisë Islame të Kamenicës.
Presidenti Behgjet Pacolli e ka pranuar këtë kërkesë dhe në afatin më të shkurtër i ka alokuar mjetet për këtë qëllim.
“Bashkësia Islame e Kamenicës po funksionon me vështirësi të theksuara edhe për shkak të gjendjes sociale në Kamenicë, por edhe për shkak të mungesës së mjeteve financiare, andaj kjo ndihmë e dhënë nga Behgjet Pacolli është mjaft e mirëseardhur” ka thënë Kryetari i Bashkësisë Islame Ef. Eshref Cakolli.
“Të vdekurit tanë meritojnë që përshëndetja lamtumirëse, ndarja prej tyre që bëhet me ceremoninë e varrimit, të jetë e dinjitetshme, andaj nuk është e pranueshme që bartja e kufomave të bëhet me traktor dhe kamionë, ndaj jam i lumtur që kemi pasur mundësinë ta mbështesim këtë kërkesë të Bashkësisë Islame të Kamenicës. Njëherit falënderoj edhe Kamenicasin Besim Rexhepaj për mbështetje financiare të këtij projekti.” ka thënë Behgjet Pacolli.