Prishtinë, 20 shkurt 2026 –
Me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, Fondacioni Behgjet Pacolli ka nisur aksionin tradicional humanitar për shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë. Ky aktivitet synon të mbështesë familjet me gjendje të rënduar ekonomike duke u siguruar produkte bazë ushqimore për përballimin e kësaj periudhe.
Qindra familje në komuna të ndryshme të vendit kanë përfituar nga ky aksion solidariteti, i cili realizohet çdo vit në frymën e përkujdesjes sociale dhe përgjegjësisë njerëzore.
Fryma humanitare e fondacionit buron nga vizioni dhe vlerat e themeluesit të tij, Behgjet Pacolli, i cili ndër vite ka dëshmuar se suksesi merr kuptim vetëm atëherë kur ndahet me të tjerët. aPërmes angazhimit të vazhdueshëm në ndihmë të familjeve në nevojë, mbështetjes së arsimit, shëndetësisë dhe iniciativave sociale, ai ka kultivuar një model filantropie aktive — jo vetëm si veprim bamirësie, por si përgjegjësi ndaj shoqërisë.
Kjo filozofi mbetet themeli mbi të cilin fondacioni ndërton çdo projekt, duke e vendosur njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër të çdo aktiviteti.

Pakot e shpërndara përfshijnë artikuj esencialë për tryezën e iftarit:
- Miell, Vaj, Oriz, Makarona, Sheqer dhe kripë, Mish, Produkte të konservuara, artikuj të tjerë bazë per sofrën e Ramazanit.

Drejtoresha e fondacionit, Fjolla Ramadani, theksoi rëndësinë e solidaritetit gjatë kësaj periudhe:
“Qëllimi ynë është që asnjë familje të mos ndihet e harruar në këtë muaj të shenjtë. Solidariteti dhe ndihma reciproke janë vlera që duhet t’i kultivojmë vazhdimisht si shoqëri.”
Ajo shtoi se fondacioni mbetet i përkushtuar të qëndrojë pranë familjeve në nevojë jo vetëm gjatë festave fetare, por gjatë gjithë vitit përmes projekteve konkrete sociale.

Fondacioni shpreh mirënjohje për partnerët që bënë të mundur realizimin e këtij aksioni:
- Rrjeti i marketeve Interex, Isdiar L.L.C, Banka Ekonomike, Siguria, B&A Contractors, Swiss Diamond Hotel, M‑tchenoloogie, Albanica Home.
Mbështetja e tyre e vazhdueshme bën të mundur realizimin e aktiviteteve humanitare dhe zgjerimin e ndihmës për kategori të ndryshme sociale.
Familjet përfituese kanë falënderuar fondacionin për ndihmën e ofruar, duke theksuar se ajo lehtëson ndjeshëm barrën financiare gjatë muajit të Ramazanit dhe u mundëson një tryezë më të plotë për iftar.

Fondacioni do të vazhdojë aktivitetet humanitare edhe në javët në vijim me fokus të veçantë në:
- Familjet me kushte të vështira ekonomike
- Personat e moshuar
- Kategoritë e tjera të ndjeshme të shoqërisë
Ky aksion është pjesë e misionit afatgjatë të fondacionit për të kontribuar në mirëqenien sociale dhe për të promovuar frymën e solidaritetit në shoqëri.
Pas nisjes së aksionit humanitar në Prishtinë, të dielen e 22 shkurtit shpërndarja e pakove ushqimore nga Fondacioni Behgjet Pacolli ka vazhduar edhe në Pejë.

Qindra familje janë furnizuar me produkte bazë ushqimore për muajin e shenjtë të Ramazanit, me qëllimin që tryezat e iftarit të jenë më të plota dhe më të ngrohta për secilën familje në nevojë.
Ky aktivitet do të vazhdojë edhe në komunat e tjera të vendit, duke përhapur frymën e solidaritetit dhe përkujdesjes shoqërore.


Më 24 shkurt, aksioni humanitar i Fondacioni Behgjet Pacolli është shtrirë edhe në Klinë, ku familje të shumta në nevojë janë furnizuar me pako ushqimore me produkte bazë për muajin e Ramazanit. Kjo ndihmë ka synuar të lehtësojë përditshmërinë e tyre dhe të sigurojë që tryezat e iftarit të jenë më të plota për çdo familje përfituese.

Banorët kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen, duke theksuar se ndihma vjen në një kohë shumë të rëndësishme për ta.
Po të njëjtën ditë, shpërndarja është realizuar edhe në Gjakovë, ku aksioni është pritur me të njëjtin solidaritet dhe bashkëpunim nga komuniteti lokal. Dhjetra familje kanë përfituar produkte esenciale ushqimore, duke marrë jo vetëm mbështetje materiale, por edhe një ndjenjë kujdesi dhe vëmendjeje nga shoqëria.

Në vazhdën e aksionit humanitar që po zhvillohet në mbarë vendin gjatë muajit të Ramazanit, Fondacioni Behgjet Pacolli ka realizuar shpërndarjen e pakove ushqimore edhe në Mitrovicë.
Familje të shumta në nevojë janë mbështetur me produkte bazë ushqimore, duke u mundësuar një përgatitje më të lehtë për iftar dhe duke sjellë një ndjenjë sigurie e solidariteti në këtë periudhë të veçantë.


Ky aktivitet është pritur me mirënjohje nga përfituesit, të cilët kanë vlerësuar përkujdesjen e vazhdueshme ndaj kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.
Aksioni ka vazhduar më pas edhe në Vushtrri, ku shpërndarja e pakove ushqimore është realizuar në frymën e bashkëpunimit dhe humanizmit që karakterizon këtë iniciativë.

Përmes kësaj mbështetjeje konkrete, shumë familje kanë përfituar ndihmë të drejtpërdrejtë për përballimin e shpenzimeve të përditshme gjatë Ramazanit. Me aktivitete të tilla, fondacioni vazhdon të forcojë mesazhin se solidariteti dhe kujdesi për njëri-tjetrin mbeten vlera thelbësore të shoqërisë sonë.

Ishin shumë bashkatdhetarë tanë me të cilët zhvillova biseda motivuese për strategjitë e arritjes së suksesit, shkëmbyem ide dhe patem qasje relaksuese.
SHTUTGART, 17 qershor 2023 –

Katër mënyra se si gjenerata e ardhshme e udhëheqësve të vendit mund të përmirësojë botën.
Nuk e kam planifikuar në këtë mënyrë, por vizita ime në Shtutgart të Gjermanisë këtë javë erdhi në një moment veçanërisht të përshtatshëm. I nderuar që mora pjesë në një ligjëratë motivuese në kuadër të aktivitetit “I Am Power” i ftuar nga zonja Mimoza Thaqi.
Në një kohë kur disa vende duket se po kthehen nga brenda dhe po tërhiqen nga çështjet botërore, Kosova dhe qytetarët e saj janë të gatshëm të rriten duke u mbështetur në sukseset e veta – të cilat përfshijnë nxjerrjen e qindra mijëra njerëzve nga varfëria, përmirësimin në mënyrë dramatike të shëndetit dhe investimin e madh në energjinë e rinisë – Kosova mund të ndajë atë që ka mësuar me pjesën tjetër të botës.
Në një fjalim para qindra njerëzve, i inkurajova që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të përshpejtojnë përpjekjet për të përmirësuar jetën aty ku jetojnë dhe për ata që janë në Kosovë.
Përqafimi i ëndrrave tuaja
Në këtë sesion, fola për përqafimin e ëndrrave të secilit, shqyrtova rëndësinë e ëndrrave të mëdha dhe të vendosjes së qëllimeve ambicioze.
Fola edhe si të kapërcejmë besimet dhe dyshimet kufizuese dhe të mësojmë teknika efektive për të vizualizuar dhe shfaqur ëndrrat e secilit në realitet.
Tejkalimi i Sfidave
Jeta është plot me sfida, por është mënyra se si u përgjigjemi atyre që na përcakton vërtet. Në këtë sesion, ju fola të pranishmëve për zhvillimin e një mendësie elastike, për të mposhtur frikën dhe për të përqafuar ndryshimin.
Nëpërmjet tregimeve frymëzuese dhe mjeteve praktike, ju do të fitoni besimin për të përballuar çdo pengesë dhe për ta kthyer atë në një mundësi për rritje.

Çlirimi i fuqisë personale
Zhbllokimi i fuqisë sonë personale është vendimtar për arritjen e suksesit dhe lumturisë. Fokusi I bisedës ishte se si të ndërtojmë vetëbesimin, rritjen e vetëvlerësimit dhe zhvillimin e aftësive efektive të komunikimit.
PRISHTINE, 25 qershor 2023 –
Themeluesi i Fondacionit z.Behgjet Pacolli, ka njoftuar se ka hapur një llogari në platformën “GoFundMe” për t’i dalë në ndihmë familjes Ademaj, e cila humbi mbrëmjen e 24 qershor tragjikisht dy anëtarë pas vërshimeve në Pejë.
Pacolli përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje politikanëve, biznesmenëve të të gjithë atyre që kanë mundësi që të kontribuojnë.

“Sapo kam hapur një GoFundMe për të ndihmuar së bashku edhe financiarisht familjen Ademaj. U bëj thirrje politikanëve, biznesmenëve dhe të gjithëve me zemër dhe mundësi për të kontribuar. Çdo euro do të thotë shumë për familjen. Zoti ju shpërbleftë!”, shkroi Pacolli.
Një grua rreth të 30-ave dhe djali i saj 5 vjeç vdiqën mbrëmjen e 24 qershorit si pasojë e vërshimeve në Pejë.
Hapja e llogarive në platformën “GoFundMe” për t’i dalë në ndihmë familjeve nga vërshimet është e vazhdueshme nga themeluesi I Fondacionit z.Behgjet Pacolli.

Kujtojmë se edhe në fillim të këtij viti vërshimet kishin shkaktuar dëme të mëdha në komunat e Mitrovicës, Skenderajt dhe Klinës. Me këtë rast Fondacioni “Behgjet Pacolli” në bashkëpunim me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, ka mbledhur mjete nga shumë bamirës dhe ka filluar ndërtimit e shtëpive për dhjetë familje në këto komuna.
PRISHTINE, 5 mars 2011 –

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli mori pjesë në manifestimin qendror të shënimit të 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari.
Fillimisht, Presidenti Pacolli vizitoi Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku ai, i shoqëruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, parakaloi para Gardës së FSK-së.
Më pas, ai u prit në një takim nga ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku dhe bashkëpunëtorët e tij. Ministri Çeku e njoftoi Presidentin Pacolli me të arritura e Forcës së Sigurisë, në rrugëtimin drejt përmbushjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale, gjithnjë me synimin që kjo forcë, me ndihmën e KFOR-it dhe ushtrive mike, të mbërrijë sa më parë nivelin profesional të ushtrive moderne.

Nga ana e tij, Presidenti Pacolli, i cili është edhe komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ofroi gjithë mbështetjen e tij në zhvillimin e kësaj force. Ai lavdëroi punën e bërë nga pjesëtarët e FSK-së në të gjitha angazhimet e tyre, si dhe u shpreh se do të punohet që pjesëtarët e FSK-së, qoftë edhe në mënyrë simbolike, të jenë pjesë e misioneve të ndryshme ndërkombëtare, në shërbim të paqes në botë.
Pas takimit, Presidenti Pacolli mori pjesë në manifestimin qendror të shënimit të 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ministra të kabinetit qeveritar të Kosovës, përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Edhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në vendin tonë, udhëheqës të KFOR-it, si dhe qytetarë të shumtë, të ardhur për të përcjellë këtë ceremoni që shënon fillimin e manifestimit treditor në shënim të përvjetorit të rënies së komandantit Adem Jashari dhe luftës heroike të familjes Jashari.

Me këtë rast, Presidenti Pacolli mbajti një fjalim, të cilin po e japim në vijim:
E nderuar Familje Jashari,I nderuari Baci Rifat,Të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës,I nderuari kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi,I nderuari kryetar i Kuvendit, Jakup Krasniqi,I nderuari Ministër i FSK-së, gjeneral Agim Çeku, Të nderuar oficerë, kadetë, të FSK-së,I nderuar komandant i KFOR-it,Të nderuar përfaqësues diplomatikë, Të nderuar të shoqërisë civile, përfaqësues të konfesioneve të Kosovës, të nderuar të pranishëm,Jam i prekur dhe i nderuar njëkohësisht që të marrë pjesë në përkujtimin e Epopesë së ndritur të luftës çlirimtare të Kosovës.

Ndihem shumë i vlerësuar që, bashkë me ju, po kujtojmë heronjtë e kësaj lufte, që sakrifikuan jetën, gjëja më e shtrenjtë që Perëndia i jep njeriut, për çlirimin e vendit dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Po ashtu, jam thellë i emocionuar që, së bashku me ju, po përkulemi me respekt para familjes heroike të Jasharëve, shembullit më të ndritur të kësaj epopeje.
Në zemrat tona i mbajmë edhe familjet e tjera të dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të nderuar të pranishëm, Jeta e një shteti të ri ka nevojë për simbole të forta. Rreth tyre formësohet ndërgjegjja kombëtare, inspirimet e gjeneratës së re. Ato shërbejnë si pika referimi për bazat, për klasën politike. Simbol i lirisë sonë, komandanti legjendar Adem Jashari dhe heronjtë e tjerë, Zahir Pajaziti, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Agim Ramadani, Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe gjithë dëshmorët e tjerë të kombit, kanë vendosur themelet e shtetit tonë, sikur themelet e legjendës së Rozafatit.
Themelet e shtetësisë sonë janë të forta falë gjakut të këtyre simboleve. Falë këtij gjaku, falë ndihmës së miqve tanë perëndimorë, ku sot dua të veçojë, për një arsye të kuptueshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vendet e Bashkimit Evropian, ne përmbyllëm me sukses ndërmarrjen e lirisë dhe pavarësisë tonë. Tash duhet të përkryejmë ndërtimin e shtetit tonë, ndërtimin e një shteti që garanton të drejtat për të gjithë banorët dhe qytetarët e tij.

Ne kemi arritur suksese të mëdha në ndërtimin e shtëpisë tonë të përbashkët, me themel të shëndosha, kemi ndërtuar institucionet, infrastrukturën, kemi rritur numrin e njohjeve, kemi përmirësuar situatën ekonomike dhe po mundohemi t’i japim perspektivë jetës së qytetarëve të Kosovës. Vepra e heronjve është aty, ajo flet, është e gjallë për ta kujtuar se më shumë duhet të bëjmë në të ardhmen.
Gjurmët e luftës së ndritshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjenden kudo në sipërfaqen e Republikës tonë dhe ne s’mundemi t’i harrojmë ata asnjëherë. Në procesin e ndërtimit të shtetësisë tonë, ne arritëm të ngrisim një institucion profesional të mbrojtjes së lirisë, siç janë Forcat e Sigurisë të Kosovës. Ajo është trashëgimtarja e drejtpërdrejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ajo është një forcë e re me histori të lavdishme.Ne ia arritëm së bashku me miqtë tanë të NATO-s dhe të KFOR-it, të pranishëm këtu në terrenet tona, të ndërtojmë mbi 90 për të strukturës moderne të FSK-së.
Mirëpo kjo nuk mjafton, ne do ta ndërtojmë atë edhe më tutje. Përkrahja e miqve tanë është garanci për të ardhmen e sigurisë, është besim për punën e përkushtimin tuaj si forcë e dëshmuar e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ne kemi besim se miqtë tanë, duke vlerësuar profesionalizmin tuaj, do të konsiderojnë pozitivisht kërkesën tonë që ju, në të ardhmen, të jeni pjesë e misioneve të ndryshme ndërkombëtare, të misioneve paqeruajtëse, dhe unë personalisht, me të gjitha institucionet e Kosovës, do të angazhohem që ju të renditeni aty ku janë të renditura forcat e shoqërive të civilizuara.
Një prani e juaj, qoftë edhe simbolike, është vepër e afirmimit të shtetit të Kosovës dhe është dëshmi e përkushtimit tonë për vlerat më të mira të qytetërimit perëndimor. Kosova është vend tërësisht evropian, ndaj ne do të punojmë vazhdimisht në konsolidimin e shtetësisë sonë, në integrimin e vendit në institucionet euroatlantike. Roli i juaj është shumë i rëndësishëm, për këto integrime.
Të dashur ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kontributi juaj është kontribut për të ardhmen e ndritur të vendit tonë, të Kosovës tonë të dashur. Ajo është themeluar mbi veprën e shkëlqyer të pararendësve të luftës çlirimtare të popullit tonë. Kjo luftë i tregoi mbarë botës se ideali i lirisë nuk vdes kurrë në viset tona, i tregoi botës së pema e lirisë ndër ne është gjithmonë e gjelbër dhe nuk thahet kurrë, ajo është e ujitur me gjakun e dëshmorëve tanë.
Ndaj sot me lejoni që, duke ju nderuar juve, të përkujtojmë edhe njëherë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. U qoftë i lehtë dheu të gjithë atyre që u flijuan për këtë liri dhe pavarësi.
Përkulem para heronjve tanë. Lavdi!
Kreu i Shtetit i Republikës së Kazakistanit i dorëzoi z. Behgjet Pacolli medaljen e Urdhrit Shtetëror *Kurmet* si autor i një projekti unik për Teatrin e Operës dhe Baletit në Astana.
ASTANA, Dhjetor 2016 –

Kryeministri i Kazakistanit Bakytzhan Sagintayev me Dekret Presidencial i dhuroi z. Afrim Pacolli medaljen e Urdhrit Shtetëror “Kurmet”.
Pasi pranoi medaljen e cila u dhuruar me dekret Presidencial, presidenti i Mabetex z.Behgjet Pacolli, tha se ky çmim është nga momentet më të nderuara për të.
“Për këtë çmim dëshiroj të falënderoj Presidentin e Kazakistanit, familjen Pacolli dhe të gjithë punonjësit e grupit Mabetex për mbështetjen dhe punën e vazhdueshme. Marrja e këtij çmimi është një nga momentet më të nderuara në jetën time dhe e ndaj me krenari, prandaj nuk është vetëm e imja, por e gjithë e jona, i gjithë ekipi i Mabetex dhe familja ime. Pa mundin, përkushtimin dhe sakrificat e të gjithëve, nuk do të kishim mundur të arrinim çmime dhe vlerësime të tilla si sot”
PROJEKTI DHE NDËRTIMI I TEATRIT KLASIK KOMBËTAR “OPERA ASTANA”
Qeveria e Kazakistanit zgjodhi edhe një herë Mabetex Group, një kompani inxhinierike dhe ndërtimore me famë ndërkombëtare, për të ndërtuar një projekt të ri prestigjioz në Astana, Kazakistan: Teatrin Shtetëror të Operas dhe Baletit, ëndrra e Presidentit Nazarbayev, si një simbol kulturor i këtij vendi.
Teatri mbulon një sipërfaqe prej 64,000 metrash katrorë dhe ndodhet midis rrugës Turan, rrugës Sarayshyk, rrugës Kabanbay Batyr dhe rrugës Kunaev në bregun e majtë të lumit “Ishim”.

Auditori kryesor: 1250 vende, nga të cilat 441 janë në tezga (reduktohen në 373 nëse rreshtat e parë hiqen për të siguruar hapësirë për gropën e orkestrës), 110 janë në kutitë e katit përdhes, 411 janë në nivelin e parë, të dytë dhe të tretë, 6 janë në ballkonin presidencial dhe 282 janë në galeri.
Auditori është i destinuar për tinguj natyral, jo të përforcuar dhe është projektuar për të siguruar që muzika vokale dhe instrumentale të ketë cilësi dhe besnikëri optimale të zërit në të gjitha regjistrat. Mabetex Group ka krijuar një ndërtesë madhështore, një nga teatrot më të mira në botë: një sintezë perfekte e stilit klasik dhe teknologjisë së fundit, e ndërtuar me vëmendje të madhe ndaj detajeve dhe materiale me cilësi të lartë.

Çdo pjesë e projektit është studiuar me përpikmëri, veçoritë akustike dhe vizuale të teatrove tradicionale janë modernizuar dhe sjellë në një nivel të pakapërcyeshëm, kulla fluturuese përdor teknologji të avancuar për të siguruar fleksibilitet maksimal në skenë, muret e brendshme dhe të jashtme janë të mbuluara me gurë të çmuar italianë, dhe dekori u krijua nga ekspertë.
Fasadat, kolonat dhe mbulesat e mureve të teatrit janë të mbuluara me pllaka mermeri siciliane të perlave (gjithsej rreth 6000 ton u përdorën gjatë projektit) të madhësive dhe trashësive të ndryshme, duke krijuar një harmoni të përsosur ngjyrash dhe materialesh tipike të arkitekturës klasike. Megjithatë, disa seksione të bëra nga materiale me origjinë të ndryshme, përzihen në mënyrë të përkryer me gurin natyror. Të vetmit elementë që dallohen nga kjo harmoni stilistike janë çatia prej bakri dhe ngjyra bronzi e kornizave të dritareve prej alumini, të zbukuruara me stampa mëndafshi që paraqesin skena nga folklori kazak. Skulptura të shumta dhe pajisje ndriçimi shtojnë një prekje shtesë dekorative në ndërtesë.


Z. Behgjet Pacolli si President dhe CEO i Mabetex Group është autor i projektit.

“për modelin unik dhe aktivitetin shumëvjeçar në ndihmë të familjeve të varfra nëpërmjet krijimit të vendeve të punës dhe ndihmës humanitare në hapësirën kombëtare dhe jashtë saj; për ndihmë për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019”
TIRANE, 3 korrik, 2020 –

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka vizituar Qendrën e Solidaritetit të Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”. I shoqëruar nga CEO i fondacionit, Arbër Hajdari, filantropi i njohur është prezantuar në ambientet e qendrës më të madhe sociale në Ballkan.
Përmes një postimi në Facebook, themeluesi i Fondacionit “Behgjet Pacolli” thotë se i është bërë një pritje fisnike, pasi thotë se i ka lënë përshtypje idetë dhe krijimtaria e themeluesit të fondacionit, Arbër Hajdari. Pacolli njofton edhe për koordinim dhe bashkëpunim me “Fundjavë Ndryshe”.
“Sot isha në Qendrën e Solidaritetit “Fundjavë Ndryshe” e drejtuar nga i riu, Arbër Hajdari, për të koordinuar aktivitetet e përbashkëta me Fondacionin “Behgjet Pacolli”. Më lanë përshtypje idetë dhe krijimtaria e tij. U nderova me pritjen fisnike”, shkruan Pacolli.
Vizita nisi me ambientet e Qendrës Shëndetësore, e cila pritet të inaugurohet së shpejti, bibliotekën e re që do të hapet në shërbim të komunitetit, si dhe magazinën ku mblidhen donacionet.
Më pas, ish-presidenti i Kosovës ka zhvilluar një takim me të rinjtë vullnetarë të “Fundjavë Ndryshe”. Në fund Hajdari i dorëzoi Pacollit medalje dhe mirënjohje.
“Në fund si drejtor i fondacionit i kam dorëzuar medaljen dhe mirënjohjen me motivacion: Mirënjohje për Humanistin, Filantropin, Sipërmarrësin Behgjet Isa Pacolli:
– për modelin unik dhe aktivitetin shumëvjeçar në ndihmë të familjeve të varfra nëpërmjet krijimit të vendeve të punës dhe ndihmës humanitare në hapësirën kombëtare dhe jashtë saj;
– për ndihmë për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019”.
Bamirësia nuk të varfëron!


“Kur pashë insertin e z.Behgjet Pacolli, u mahnita nga përkushtimi dhe puna e palodhshme e tij dhe se si mundet një individ i vetëm të arrijë në një dimension të tillë. Behgjet Pacolli e ka ngritur emrin e shqiptarëve në botë me punën dhe humanizmin e tij”
LEZHE, 3 shtator 2010 –

Disa muaj pas nderimit nga Unioni i paqes në Botë me titullin “Kalorës i Paqes i Mijëvjeçarit”, presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli u nderua nga Këshilli Bashkiak i Lezhës me çmimin “Qytetar Nderi i Lezhës”.
Në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi në mesin e mysafirëve nga Kosova, kishin ardhur edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak të Lezhës. Në shenjë respekti për të zgjedhur lokalë të këtij Këshilli, i pari në gjithë hapësirën kombëtare që e ka nderuar z. Pacolli me titullin “Qytetar Nderi”, me dëshirën dhe kërkesën e vetë të zgjedhurve.


Më pas fjalën e mori kryetari i Këshillit Komunal të Lezhës, Frano Kulli, i cili tha se vendimi për ndarjen e çmimit “Qytetar Nderi i Lezhës” ka ardhur si motivacion për kontributin dhe punën e madhe të z. Pacolli si biznesmen dhe humanist në rrafshin kombëtar dhe atë ndërkombëtar.
“Nuk ka qenë vendim i rastësishëm por duke analizuar të gjithë punën humaniste si dhe veprimtarinë e tij për çështjen kombëtare e veçanërisht për lobimin e jashtëzakonshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kjo është më së paku që mund të bënim”, u shpreh ai.
Ndërsa duke e falënderuar z. Pacolli për veprimtarinë e tij, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha i përshëndeti të pranishmit duke thënë se është një ndjenë e veçantë për të që gjendet në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

“Kur pashë insertin e z.Behgjet Pacolli, u mahnita nga përkushtimi dhe puna e palodhshme e tij dhe se si mundet një individ i vetëm të arrijë në një dimension të tillë. Behgjet Pacolli e ka ngritur emrin e shqiptarëve në botë me punën dhe humanizmin e tij”, tha ai.
Vendimi për ndarjen e këtij çmimi ishte marrë në unanimitet nga Këshilli Bashkiak i Lezhës me datë 03.09.2010 për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Qytetit të Lezhës z. Behgjet Pacolli, President i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe humanistit të njohur në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shuma të mëdha financiare. Në atë Luftë ka marrë pjesë vëllai juaj Selimi, në Zonën e Gollakut, dhe ju keni shumë viktima në mesin e familjarëve tuaj”
KUKËS, 16 prill, 2018 –

Me të vërtetë provova emocion ndërsa Kukësi, kryeqyteti botëror i mikpritjes dhe bujarisë, në vitin 1999, vit i eksodit kosovar, më nderoi me 2 titujt
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Kukësit”.
Në ceremoninë e organizuar në Kukës në kuadër të 19 vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë, në ceremoni ishte i pranishëm Zv/kryeministri dhe Ministri i i Jashtëm, Behgjet Pacolli, kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, autoritete vendore nga Kosova dhe Shqipëria, deputetë, qytetarë etj, bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së kosovare.
Kryetari i Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu duke i dorëzuar titujt e lartë theksoi se “vepra juaj në shërbim të kombit shqiptar, në të dy anët e kufirit ka shumë lidhje me Kukësin, ka shumë lidhje me 16 prillin, ditën kur dhjetëra mijëra bashkëpatriotë tanë të Kosovës, u vendosën këtu”.
“Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shuma të mëdha financiare. Në atë Luftë ka marrë pjesë vëllai juaj Selimi, në Zonën e Gollakut, dhe ju keni shumë viktima në mesin e familjarëve tuaj”, u shpreh Shehu.


Kryetari i bashkisë së Kukësit, Shehu nënvizoi se “platforma juaj për një Zonë të lirë ekonomike ndërkufitare që bashkon Gjakovën dhe Prizrenin me qarkun tonë, është shpëtimtare për njërën nga Zonat më të bukura të Ballkanit dhe me plot potencial zhvillimor. Minierat tona kanë mbajtur Shqipërinë”.
“Koncepti juaj për zhvillimin e Aeroportit të Kukësit, për kompani ajrore të përbashkët; koncepti juaj për një Qendër Spitalore elitare dhe një shkollë të lartë shërbimesh mjekësore në Kukës, janë shpëtimtare për këtë zonë. Tani që ju jeni në qeverisje, që bashkëpunimi me Shqipërinë është real, ne do donim që ky vizion juaji të bëhet realitet”, tha Shehu duke shtuar se ja pse ne ju japim çelësin e shtëpisë sonë mikpritëse, që ju të mos e harroni Kukësin.

Zv/kryeministri Pacolli duke falënderuar për nderimin e lartë, u shpreh se “Kukësi është Kryeqyteti i Mikpritjes Botërore, Kukësi është Nobeli i humanizmit global; Kukësi e shpëtoi Kosovën në 1999. Nëse kosovarët nuk do kishin qëndruar këtu, do ishin shpërndarë nëpër botë. Dhe jo të gjithë, do ktheheshin nga larg për t’i shërbyer Kosovës së Re. Ndaj për mua është krenari që prej sot jam një kuksian, që prej sot jam njeri si ju”.
Pacolli duke falënderuar qytetarët kuksianë dhe anëtarët e Këshillit bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut për titujt iu kërkoi që të kapërcejnë ndarjet partiake për t’i shërbyer më mirë këtij populli të mrekullueshëm.
“Ju keni të drejtë që përmendni Vizionin si cilësi e domosdoshme për të shikuar lart dhe larg. Edhe kur kufijtë mes nesh ishin të pakapërcyeshëm, unë gjithmonë e kam parë këtë zonë si pjesë e pandarë e Gjakovës, Prizrenit, e Kosovës. Aq më shumë në kohën e lirisë që u parapri nga sakrifica, gjaku, vepra e madhe e humanizmit tuaj që e pa bota mbarë, unë sot e shoh si pol kombëtar zhvillimi qarkun e Kukësit, Hasin, Tropojën, të lidhur me komunat në anën tjetër”, tha Pacolli.
Pacolli premtoi se do të angazhohet për Kukësin, pasi ka miniera të rralla, liqene, hidrocentrale, bukuri natyrore, hapësirë për turizëm malor, për blegtori cilësore, për shkolla, arsim profesional.
“Aeroporti i Kukësit që do të hapet së shpejti ka gjithë mundësitë që jo vetëm të jetë alternativë e Prishtinës dhe Gjakovës, por dhe të jetë një destinacion ndërkombëtar në transportin e distancave të mëdha. Unë me kolegët e mi në Qeverinë e Shqipërisë do punojmë në këtë drejtim”, theksoi Pacolli.

Ai shtoi se “nuk mund të ketë zhvillim kombëtar të plotë, madje nuk mund të ketë zhvillim rajonal pa hekurudhë mes nesh, Lugina e Drinit, Kukësi, Tropoja, Gjakova, janë stacione të pashmangshme të kësaj rruge të re hekurudhore. Po i ndjek me vëmendje studimet dhe projektet në këtë drejtim”.
Ministri i Jashtëm Pacolli është dekoruar më herët edhe nga Presidenti i Shqipërisë me titullin e lartë “Nder i Kombit”.Ai është qytetar Nderi i Korçës, Lezhës dhe ka disa tituj akademikë nga universitete të Shqipërisë. Gjithashtu, Pacolli ka tituj dhe nderime nga qytete dhe shtete të SHBA-së, Italisë, Filipineve, Perusë,etj.



Senati Akademik i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, i jep Z. BEHGJET PACOLLI, Zëvendëskryeministër dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Titullin akademik të nderit “Dr. Honoris Causa”
Më 28 nëntor 2018, ora 12.00, në sallën “Rilindja”, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit akademik te nderit “Dr. Honoris Causa”, Z. BEHGJET PACOLLI, Zëvendëskryeministër dhe ministri i jashtëm i Kosovës, akorduar nga Senati Akademik i Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë. Në ceremoni ishin të pranishëm studentë, pedagogë, qytetarë të Vlorës, gazetarë dhe përfaqësues të mediave. E nderuan aktivitetin me prezencën e tyre, Z. Dritan Leli, Kryetar i Bashkisë, Vlorë, Shkelqesia e tij, Ambasador i Kosovës në Shqipëri, Z. Sylë Ukshini, deputetë, autoritete qendrore e lokale, miq e dashamirës të UV-së dhe të Z. Behgjet Pacolli.
Ceremonia u çel me Himnin e Flamurit dhe interpretimin e poezisë “Në vendin tim” të poetit Petrit Ruka, përmes një inserti poetiko-muzikor, në qendër të së cilës ishte Vlora si motiv kryesor. Më pas e mori fjalën Rektori Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Roland Zisi, i cili i pershendeti dhe i falenderoi të pranishmit në emër të Senatit Akademik, studentëve dhe pedagogëve, për vlerësimin që kishin treguar me prezencën e tyre në aktivitet.

Sipas kerkesave te ligjit dhe kanoneve universitare ne vijim u lexuan dy relacione (oponenca) të shkurtëra mbi veprimtarine, kontributet, arritjet dhe sukseset e Z. Behgjet Pacolli, të cilat e motivuan Senatin Akademik në akordimin e titullit të nderit “Dr. Honoris Causa”, titullin më të lartë që akordon institucioni për personalitetet e shquara, vendase apo të huaja. Relacioni i parë u lexua nga Prof. Dr. Albert Qarri, dekan i fakultetit te Ekonomisë dhe i dyti nga Prof. asoc, Xhiliola Agaraj, pergjegjese e departamentit të Biznesit, ne fakultetin e Ekonomisë.
Më pas, Rektori Zisi e ftoi z. Behgjet Pacolli të ngjitet në tribunë, të veshi uniformën përfaqësuese të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë dhe të marrë Diplomën e nderit, akorduar nga SA me motivacioni:“Për kontributin e shquar, unik dhe doktrinar, në nxitjen e mendimit shkencor kombëtar dhe afirmimin e modelit mbarëshqiptar të biznesit dhe marketingut, në sintoni dhe relacione suksesi me ekonominë globale, të cilat kanë sjellë rezultate reale e të prekshme në rritjen e mirëqenies individuale dhe harmonisë shoqërore, në funksion të patriotizmit modern, jo atij folklorik, si kushte themelore të bashkëjetesës europiane e globale”.
Në fund e mori fjalën Z. Behgjet Pacolli i cili përshëndeti përzemërsisht të pranishmit, falenderoi anëtarët e senatit akademik për vlerësimin dhe nderimin që i bënë atij duke i akorduar titullin e nderit “Dr. Honoris Causa”. Ai vlerësoi Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, për sukseset dhe arritjet e tij në fushë të misionit fisnik të edukimit qytetar, profesional dhe akademik të brezave të studentëve ndër vite dhe më pas u përqëndrua në rolin historik, ekonomik, kulturor të Vlorës dhe vendin e veçantë që ajo ka në zhvillimin e vendit dhe rajonit, duke nenvizuar se, “në këtë ceremoni duhet të reflektojmë të gjithë për rëndësinë e Vlorës në një strategji të përbashkët zhvillimi kombëtar që pse jo mund të nisë prej saj, si njeri nga portet më të rëndësishme në rajon, por dhe më gjerë”.

Ai i njohu të pranishmit me raportet e lidhjet e tij të hershme e të reja me Vlorën, me fokusin aktual të veprimtarisë së tij si politikan e diplomat, si Zëvendëskryeministër dhe ministri i jashtëm i Kosovës si dhe me sfidat që has politika dhe shoqëria kosovare e shqiptare në rugën e vështirë të integrimit europian.
Ceremoninë e përshëndeti edhe Z. Dritan Leli, Kryetar i Bashkisë, Vlorë.https://univlora.edu.al/2018/11/30/senati-akademik-i-universitetit-ismail-qemali-vlore-i-jep-z-behgjet-pacolli-zevendeskryeminister-dhe-ministri-i-jashtem-i-kosoves-titullin-akademik-te-nderit-dr-honoris-causa/
TIRANE, 27 shkurt, 2015
Dje gjatë qëndrimit në Tiranë me rastin e dekorimit të tij me Urdhërin më të Lartë “Nderi i Kombit”, zotëri Behgjet Pacolli u takua me kryebashkiakun dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulëzim Basha.
Në këtë takim të zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, ai shoqërohej nga dy kryetarët e komunave të udhëheqëur nga AKR, Mimoza Kusari Lila dhe Agim Bahtiri.

Në fillim të takimit, zotëri Basha i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e dekorimit të zotëri Pacollit, e konsideroi si shumë të qëlluar këtë dekorim me Urdhërin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai lartësoi kontributin e zotëri Pacollit në përmirësimin e imazhit të shqiptarit në botë në zona të ndryshme të saj, atë në lobim, dhe në propozime të ndryshme politike”.
Basha i akordoi mysafirit nga Kosova, titullin “Mirënjohja e qytetit të Tiranës”, i cili është i dyti pas titullit “çelësi i qytetit” që ka marrë më parë nga ish kryebashkiaku Edi Rama.
Më pas biseda e ngrohtë dhe vëllazërore u zhvillua për tema të ndryshme që lidhen me zhvillimet në politikën shqiptare, në dy komunat respektive Gjakovën dhe Mitrovicën, etj. Basha premtoi se do ta vizitonte shumë shpejt komunën e Mitrovicës që e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi”, dhe tregoi për lidhjet e shumta të gjakut dhe familjes me Kosovën. Zotëri Pacolli vlerësoi kontributin e zotëri Bashës në moderimin e politikës shqiptare në përgjithesi.